Huqja e Edi Ramës me “adidas” në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor (Foto/Video)

Takimi i nivelit të lartë të Triestes zhvillohet në vazhdën e Procesit të Berlinit, nisma që mori jetë në 2014-n, me iniciativë të kancelares gjermane, Angela Merkel.

Lajme

12/07/2017 21:52

Në nisje të samitit, Merkel tha se qëllimi i tyre është të ndihmojnë Ballkanin Perëndimor të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian.

“Detyra jonë si liderë në këtë samit është të nxisim vendet e Ballkanit në rrugën e zhvillimit, duke zbatuar hap pas hapi detyrat për në rrugën drejt BE-së. Stabiliteti politik në Ballkan do të thotë stabilitet i vendeve tona”, tha Merkel.

Kancelarja vlerësoi qeverisjen e Kryeministrit shqiptar Edi Rama e pasi e uroi personalisht për fitoren theksoi se Shqipëria ka hyrë në rrugën e progresit.

Ndërsa kryeministri italian, Paolo Gentiloni tha në fjalën e tij krah udhëheqëses gjermane dhe presidentit francez Emanuel Macron, se një Evropë e bashkuar dhe e fuqishme mund të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin.

Në prag të takimi, Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johanes Hahn paralajmëroi se vendet ballkanike duhet të bëjnë më shumë për të treguar përkushtimin e tyre për demokracinë dhe sundimin e ligjit në mënyrë që t’i bashkohen bllokut.

“Do të donim të shihnim garanci e sjellje që do të sugjerojnë se vendet kanë përthithur vlerat evropiane”, ishin fjalët e Hahn në Trieste.

Ndërsa vlerësoi përkushtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Hahn e bëri të qartë se anëtarësimi do të bazohet tek meritat. “Data nuk është e përcaktuar, gjithçka është në dorë të tyre”, vijoi eurokomisioneri.

Liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor ranë dakord për krijimin e një zone të përbashkët ekonomike, e cila shihet si zgjatim i marrëveshjet evropiane për tregtinë e lirë, CEFTA.

“Ne i kemi moderuar pritshmëritë tona duke ju përshtatur kontekstit në të cilin jetojmë dhe në të cilin gjendet BE. Por është shumë e rëndësishme të vazhdojmë procesin dhe të mos harrojmë që kur ky proces nisi, ne nuk kishin në gjendje as të takonim njëri-tjetrin. Tani takimet nuk janë më historike, madje ndonjëherë bëhen të mërzitshme”, u shpreh Kryeministri Rama.

Ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj i sheh si një progres të rëndësishëm bisedimet për krijimin e një tregu të përbashkët.

“Komisioni Evropian na vuri përpara një propozim të ri, i cili ndryshonte nga ai që na u propozua në shkurt, pasi në atë kohe ideja që ne të kishim një treg të përbashkët përballej me sfida të mëdha për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia”, tha Hoxhaj.

Me pozitivitet e sheh idenë edhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq. “U parashtruan propozime e versione të ndryshme të marrëveshjes dhe u arrit konsensus për kushtet e zonës së përbashkët ekonomike që konsistojnë në 4 fusha për të cilat të gjithë u dakorduan”, tha Daçiq.

Rama dhe “adidas”

Dhe ajo që nuk u la pa bërë lajm kishte të bënte me atletet e Edi Ramës, të cilat ranë në syrin e të gjithë. Për dallim prej të gjithë liderëve tjerë, Rama u veçua me një palë atlete të bardhë “adidas”.

Mediat rajonale, por edhe vendore, përfshirë edhe shumë personalitete në Kosovë, e kritikuan Ramën për këtë “dallim”, pasi që e panë si mosrespektim dhe një far tallje me të gjithë tjerët.

Nuk është hera e parë që Edi Rama nuk i përmbahet kodit të veshjes, duke dashur të tregohet i veçantë. /Lajmi.net/

Lexoni edhe:

Përfundon Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Trieste, nënshkruhet një marrëveshje