Humbje e merituar

Cesare Prandelli pranoi se skuadra e tij e meritoi humbjen nga Kosta Rika, por ai i fton futbollistët e Italisë që të sigurojnë kualifikimin tutje nga Grupi D i Kampionatit botëror, në duelin vendimtar kundër Uruguait. 

Sport

20/06/2014 21:57

Selektori i Italisë, Cesare Prandelli ka pranuar se skuadra e tij e meritoi humbjen 1:0 nga Kosta Rika në kuadër të Grupit D në Kampionatin botëror.

“E dinim se do të jetë një grup i vështirë, tani do të luajmë për gjithçka kundër Uruguait. Rrezik nga frika? Nuk ekziston, duhet vetëm t’i rikuperojmë energjitë”, u shpreh ai.

“Me një gol nga Balotelli do të shkonte më ndryshe, skuadra luftoi dhe dha maksimumin, por është një humbje e merituar”, pranoi Prandelli, i cili theksoi se nuk u befasua nga kundërshtari.

“Jo, është një skuadër që e njihja, e organizuar dhe e aftë për të kundërsulmuar. Realiteti i Botërorit është ky”.

Si do të jetë Itali – Uruguai?

“E vështirë, për ne dhe për ata. Rezultati i hapur, duhet të jemi të përgatitur nga këndvështrimi fizik dhe mendor. Duhet të besojmë. Uruguain e kemi takuar një vit më parë në Kupën e Konfederatave. Ka qenë vështirë. Këtu do ta luajmë kualifikimin. Ne dhe ata”, u shpreh ai.