Humbi 4:0, por Batatina sërish ka ankesa në referim

Është mbyllur edhe java e 28-të në IPKO Superligën e Kosovës.

Sport

05/07/2020 19:37

Drita ka shënuar fitore të thellë 4-0 në udhëtim ndaj Llapit ndërkohë Trepça 89 ka mposhtur Ferizajin me rezultat të thellë 5-2.

Golat u shënuan nga Kastriot Rexha, Erjon Vucaj e Izair Emini si dhe një autogol nga Mërgim Pefqeli.

Pas ndeshjes, Batatina është shprehur i befasuar me paraqitjen e dobët të portierit dhe të skuadrës në përgjithësi.

“Sot ishte një Llap krejt më ndryshe. Nuk besoja as vet që është kjo skuadër. Ne nuk kishim porter në portë, kishim portier, por nuk është i këtij niveli”, u shpreh fillimisht Batatina në SSK.

“Pësuam shumë gola herët, sidomos goli i dytë na pengoi shumë. Ai gol nuk pranohet, madje as një portier i juniorëve nuk e pranon një të tillë. Duhet të jemi të kujdesshëm për ndeshjet e radhës dhe të mendojmë për edicionin e ri”, tregon më tej trajneri llapjan.

Tutje, Batatina nuk harroi ta kritikojë as gjyqtarin e ndeshjes, Selim Isufi.

“Drita fitoi me meritë, por edhe gjyqtari sot nuk ishte në nivel, pasi nuk lejoi të zhvillojmë futboll. Kishte shumë zhagitje, mendoj se edhe sot referimi ndikoi”, shtoi ai.

Me këtë fitore, Drita mbetet në vendin e parë me 61 pikë të tubuara pas 28 javësh, kurse Llapi mbetet në vendin e gjashtë me 39 pikë.