Humbi 3 fëmijët dhe gruan, rrëfimi i Albert Carës si i mbijetoi tragjedisë: Preka djalin, ishte ende i ngrohtë

Më fort se këdo tjetër tërmeti i 26 nëntorit ka goditur familjen Cara. Plot 9 anëtarë të kësaj familje u zunë nga gërmadha. Nga këta vetëm dy u nxorën me frymë jete prej gërmadhave. Shtatë të tjerë mbyllën sytë përgjithmonë.

Lajme

26/11/2020 12:57

Albert Cara është një nga të mbijetuarit e tërmetit tragjik të 26 nëntorit i humbi 3 fëmijët e tij, gruan dhe nusen e djalit.

Në pallatin që u shkatërrua jetonin 2 familje të fisit Cara.

Familja e Albertit dhe Fatmirës. Dy njerëz të thjeshtë që i kishin rritur fëmijët duke punuar si shitës ambulantë në tregjet e zonës së Kurbinit. Fatmira ishte një vajzë e rritur në Thumanë, ndërsa Alberti vinte nga një familje Mirditore, të cilën sistemi komunist e kishte interrnuar në Thumanë. Ata patën 3 fëmijë: Almirin, Erisën dhe Hasanin që trashëgonte emrin e gjyshit që u shuan nën rrënoja.

Për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, i mbijetuari Albert Cara ka rrëfyer ngjarjen tragjike që ndodhi në jetën e tij. ai kujton me përpikmëri çdo moment ndërsa thotë se nuk e ka humbur shpresën dhe se ky ka qenë vullneti i Zotit dhe e ka pranuar si të tillë.

Ai kujto momentin që gjendej nën rrënoja duke thënë se për një moment priste të asfiksohej nga mungesa e oksigjenit. Ai më tej shton se kishte zgjatur krahun dhe prekur fëmijën e tij të vogël.

“E ndjeva se ishte ende i nxehtë. Por për një orë u ftoh. Falenderova Zotin që nuk e la të vuante shumë” ka thënë ai me zërin që i dridhej.

Në fund Berti ka thënë se ka filluar ta marrë veten, por sërish në darkë kur ndodhet vetëm, ‘komunikon’ me fëmijët dhe familjen e shuar dhe se e di që ata e dëgjojnë.

YouTube player