Humbën 12 anëtarë, familja Jahiu nuk e di se kur do të kthehen trupat e viktimave nga Bullgaria

15:26 | 25 Nentor 2021

Familjarët e viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik në Bullgari janë duke pritur informacione nga autoritetet maqedonase dhe bullgare, se kur do të mund t’i tërheqin trupat e pajetë të tyre.

Sabatin Nuhiu, fqinj i familjes Jahiu tha sot se njërit prej vëllezërve Jahiu i ka vdekur gruaja me katër fëmijët dhe tjetrit gruaja me dy fëmijë. Nga kjo tragjedi ka shpëtuar vetëm njëri nga fëmijët që nuk ishte në udhëtim me familjen në Stamboll.

Nuhiu më tutje tha se kjo familje i ka humbur edhe dy mbesa.

“Familja Jahiu në rrethin e ngushtë përbëhet prej tre vëllezërve dhe pesë motrave. Njëri prej këtyre vëllezërve e ka humbur bashkëshorten dhe krejt fëmijët. Domethënë katër fëmijët. Njëri prej tyre e ka humbur bashkëshorten me dy fëmijët dhe ka mbetur një djalë që është bashkë me prindin. Është 21 vjeçar dhe ai nuk ka qenë me familjarët në ekskursion. Poashtu kanë humbur edhe dy mbesat e tyre. Njëra prej viktimave e ka pasur edhe motrën e vet. Ajo ka qenë së bashku me vajzën e saj”, ka thënë ai.

Jahiu tha se janë duke pritur se kur do të vinë trupat e 12 anëtarëve të familjes Jahiu në Maqedoninë e Veriut.

“Si gjithë të tjerët edhe ne po presim lajme prej autoriteteve bullgare, poashtu edhe prej autoriteteve tona. Ende nuk ka diçka saktë. Dikush thotë 3 ditë ose katër, dikush thotë deri në 7 ditë. Si gjithë të tjerët edhe ne po presim ndonjë lajm”, ka thënë më tutje ai.