Humbëm për shkak të SHIK’ut dhe UDB’së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se kjo parti humbi në disa komuna për shkak të SHIK’ut dhe UDB’së. AAK në zgjedhjet e nëntorit fitoi vetëm  në tri komuna, në Deçan, Junik dhe Obiliq ndërsa  humbi qeversjen në komunat kryesore, në Gjakovë, Pejë, Suharekë e Rahovec. Në një intervistë për Kosovapress,…

Lajme

29/12/2013 11:43

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se kjo parti humbi në disa komuna për shkak të SHIK’ut dhe UDB’së.

AAK në zgjedhjet e nëntorit fitoi vetëm  në tri komuna, në Deçan, Junik dhe Obiliq ndërsa  humbi qeversjen në komunat kryesore, në Gjakovë, Pejë, Suharekë e Rahovec.

Në një intervistë për Kosovapress, Haradinaj thotë se shkak i këtyre humbjeve ishte qasja e AAK’së në përkrahjen e temave nacionale si edhe përkrahja e Qeverisë në disa raste.

Por, në humbjen e partisë së tij ai thotë se ka dorë edhe SHIK’u i PDK’së dhe UDB’a e partive të tjera.

“Mendoj se janë disa argumente, fakte të cilat kanë sjellë deri te humbja”.

“Disa kanë të bëjnë me qasjen tonë në politikat nacionale, me përshkrimin e përkrahjes tonë ndaj temave nacionale si përkrahja e Qeverisjes në raste të caktuara”.

“ Ka të bëjë me degradimin e Qeverisë, me mos punën tonë në raste të caktuara në qeverisjen komunale dhe, po ashtu, me kampanjat e kuzhinave të disa individëve politik”.

“Kam thënë se SHIK’u i PDK’së e UDB’at e partive të tjera kanë bashkëvepruar në raste të caktuara me i shkaktue humbje Aleancës”.

“Dhe kjo ka ndodhur në disa komuna, në disa vende”.

“Kemi prova, e kemi parë bashkëpunimin zyrtarisht, formalisht ose në formë të hapur të strukturave të caktuara të një partie”.

“Na kanë dhënë mbështetjen, në prapaskenë grupe të caktuara, njerëz të caktuar të këtyre strukturave kanë punuar në të kundërtën e subjektit të vet. Kanë pasur marrëveshje të fshehta dhe i kanë zbatuar”.

“Këtë e kemi jo vetëm me prova, por këtë e dinë njerëzit në terren, e dinë edhe vet strukturat e subjekteve politike se për çka e kam fjalën”.

Ramush Haradinaj ka thënë se është duke kërkuar ndihmën e ligjit për të sqaruar deklaratat e Kryetarit të ri të Pejës, Gazmend Muhaxherri, i cili ka thënë se ka pasur presion, shantazh dhe kërcënim nga Ramush Haradinaj.

“Ai ka bërë deklarime të tilla të vazhdueshme para zgjedhjes së tij si kryetar i Pejës”.

“Kanë përdorur dhe bashkëpunuar me të gjitha kuzhinat e mundshme. Ato le të mbesin në ndërgjegjen e tyre çka kanë bërë. Por unë, kam kërkuar ndihmën e ligjit që të sqarojë çka janë këto, pse i bëjnë dhe kush janë njerëzit që i bëjnë”.

“I kam thënë dhe e përsëris edhe një herë se çdokush që e hap gojën në publik nuk ka me e lanë pa i dhënë sqarimet e nevojshme se a është ajo e vërtetë që po e thotë kushdo qoftë ai dhe kush është ai që po e thotë”.

Haradinaj ka thënë se në Kosovë ende ka shumë njerëz që janë të ndërlidhur me shërbimet e ish Jugosllavisë dhe Serbisë.

“Në Kosovë, ka plot njerëz që janë të ndërlidhur ende me ish shërbimet e ish Jugosllavisë dhe Serbisë, se kanë jetuar 50 vjet këtu. Ka në Kosovë plot rryma politike që kujtojnë se Kosovës mundet me ia dhanë një kahje tjetër. Kjo ka vdekur në vitin 99. Kosova duhet të  reformohet, të zhvillohet standardi reformues, të trokitet për anëtarësim në Europë”.