Hoxhaj vazhdon lobimin, marrëdhënie diplomatike me Tanzaninë

Në kuadër të lobimit për njohje nga vendet afrikane që po marrin pjesë në samitin BE–Afrikë, ministri Enver Hoxhaj, ka nënshkruar marrëveshjen për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Tanzanisë, me homologun nga ky shtet, Bernard Membe.

Lajme

03/04/2014 11:32

Ministri Hoxhaj tha pas takimit se vendosja e marrëdhënieve diplomatike bëhet në vazhdën e aktiviteteve për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Tanzanisë, Bernard Membe, vlerësoi arritjet në Kosovë dhe shprehu përkrahjen e tij për forcimin e pozitës ndërkombëtarë të Kosovës, duke siguruar ministrin Hoxhaj për përkrahjen e Tanzanisë në kontinentin afrikan.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Hoxhaj po ashtu zhvilloi një takim me sekretarin e përgjithshëm të Grupit të Shteteve Afrikane, të Karaibeve dhe të Paqësorit (ACP), Alhaji Muhammad Mumuni.

Gjatë takimit, ministri Hoxhaj dhe sekretari i ACP-së, biseduan për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen, me ç’rast Hoxhaj kërkoi mbështetjen e kësaj organizate të rëndësishme në shtimin e njohjeve për Kosovën.

Sekretari Mumuni e siguroi ministrin Hoxhaj për përkrahjen e tij personale në këtë drejtim dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet ACP-së dhe Kosovës.