Hoxhaj takon këshilltarin e Merkel: Dialogu me Serbinë të përfundojë me njohje reciproke

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e dytë të qëndrimit në Berlin ka takuar Christoph Heusgen, këshilltarin për politikë të jashtme dhe siguri të kancelares Angela Merkel, me të cilin ka biseduar për perspektivën evropiane të Kosovës, rolin e Gjermanisë në këtë drejtim dhe marrëdhëniet bilaterale.

Lajme

12/06/2015 15:50

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme, Hoxhaj e ka falënderuar Heusgen për përkrahjen e fuqishme të Gjermanisë për Kosovën duke e konsideruar si adresën kryesore në mesin e shteteve të BE-së.

“Kosova gjendet në një fazë të rëndësishme të forcimit të shtetësisë dhe Gjermania është kyçe për ndërtimin e institucioneve të brendshme sa më efikase dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Në këtë aspekt, Kosova ka ndërmarrë çdo hap të domosdoshëm për liberalizimin e vizave dhe shpresojmë që puna e bërë do të shpërblehet me një vendim pozitiv. Është jetike për ne të vazhdojmë ta kemi përkrahjen e pakursyer gjermane”, citohet të ketë thënë Hoxhaj.

Sa i përket bashkëpunimit bilateral, Hoxhaj e Heusgen janë pajtuar se ai është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës dhe integrimin evropian, pasi edhe MSA-ja është një mundësi për hapjen e tregut të Kosovës ndaj atij evropian.

Më tej duke folur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Hoxhaj ka kërkuar që dialogu duhet të ketë qëllime të qarta dhe të përfundojë me njohjen reciproke, pasi vetëm atëherë, mund të ketë normalizim të plotë.

Një ditë më herët, Hoxhaj ka takuar një grup të deputetëve të Bundestagut gjerman nga radhët CDU-së të cilët merren me çështjet e Ballkanit.