Hoxhaj rehaton përkrahësit e PDK-së

MPJ kohëve të fundit ka marrë disa vendime, ku ka bërë disa lëvizje nëpër misionet diplomatike. Adnan Jakupi është caktuar sekretar i parë në Ambasadën në Shqipëri ndërsa Ifete Çeku si sekretare e dytë. E bija e Bujar Bukoshit është dërguar në Berlin.

Lajme

28/03/2014 18:42

Zëvendësime e transferime janë bërë nëpër misionet diplomatike të Kosovës në kohën kur vendit po i afrohen zgjedhjet e përgjithshme.

Kështu me 21 mars, Ministri i Punëve të Jashtme ka nënshkruar disa vendime të cilat i ka siguruar KTV.

Nga Ambasada e Shqipërisë ka lëvizur Sekretarin e parë dhe sekretaren e dytë, kurse nga Berni në Prishtinë ka propozuar ta kthej Ambasadorin Naim Malaj.

Enver Hoxhaj me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm ka transferuar Adnan Jakupin nga Tirana në Budapest kurse Ifete Çekun në Podgoricë.

I pari është vëllai i këngëtares Leonora Jakupi dhe e dyta motra e Ministrit Agim Çeku. Pak kohë pasi Agim Çeku kishte kaluar në PDK, motra e tij, Ifetja, ishte dërguar si sekretare e dytë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri.

“Vetëm ka ardhur tek dera e Ambasadës dhe më ka thënë se unë jam emëruar sekretare”, e kishte përshkruar në atë kohë Ambasadori Selimi shkuarjen në Tiranë të Adnan Jakupit, pa asnjë ditë përvojë në diplomaci.

Jakupi dhe Çeku do të nisin punën më 1 prill.

Por që nga muaji maj, Ambasada e Kosovës në Shqipëri funksionon pa ambasadorë. Që atëherë MPJ, ka vazhduar të paguaj nga afro 4 mijë euro në muaj për Ambasadorin Sylejman Selimi, i cili gjendet në paraburgim nën akuzat për krime lufta.

Ministri Hoxhaj kishte thënë se Selimi do ta marrë këtë pagë përderisa për Selimin të mos ketë një vendim të prerë të Gjykatës, duke hedhur poshtë çdo mundësi që ai të largohet apo zëvendësohet.

Pa punë nuk ka mbetur as Naim Malaj, ambasadorin në Zvicër. Ai është propozuar që të kthehet në Prishtinë, për të punuar në MPJ, pavarësisht se nuk i është caktuar asnjë post.

Sekretare e parë në Berlin është caktuar vajza e Bujar Bukoshit, Shota e cila me profesion është dramaturge, raporton KTV.