Hoxhaj: Reciprociteti gjysmak i Kurtit ishte kauzë e rrejshme që manipuloi opinionin
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas heqjes së masës së reciprocitetit për Serbinë nga Qeveria Hoti.

Lajme
Ish-zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka thënë se që nga vendosja e masës së reciprocitetit nga ana e ish-kryeministrit Albin Kurti, ai ka qenë kundër, duke thënë se Kurti atë vendim e mori vetëm për efekte elektorale.
Sipas Hoxhajt, Kosova nuk ka përfituar asgjë nga reciprociteti, siç e quan ti, gjysmak dhe mashtrues.
“Kam qenë kundër reciprocitetit gjysmak të Albin Kurtit, të cilin e bëri për efekte elektorale. Sepse, Kosova nuk përfitoi asgjë prej tij, pos diskursit patetik të instaluar për gjoja mbrojtjen e Kosovës nga copëtimi.”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin social Facebook.
Ai ka thënë se ky lloj reciprociteti ka qenë veçse një mashtrim i radhës i z. Kurti, pas kauzave të rrejshme me të cilat manipuloi opinionin e Kosovës në vazhdimësi.
“Reciprociteti gjysmak i tij jo vetëm që nuk i solli gjë Kosovës, por vetëm i acaroi raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrezikoi përkrahjen e SHBA-së për Kosovën dhe e bëri Serbinë të duket viktimë. “, ka shtruar ish-zv.kryeministri i Kosovës.
Tutje, ai ka lavdëruar vendimin e sotëm të Qeverisë Hoti, edhe pse ka thënë se ishte pjesë e asaj qeverie që dëmtoi Kosovën ndërkombëtarisht.
“Vendimi i sotëm i qeverisë Hoti është i duhuri dhe këtë duhet thënë publikisht. Pavarësisht se çka mendojmë për faktin se edhe z. Hoti ishte pjesë e asaj qeverie që dëmtoi ndërkombëtarisht Kosovën.”, ka thënë Hoxhaj.
Enver Hoxhaj nga PDK, ka thënë se pikërisht për shkak të seriozitetit të çështjes, e thotë me plotë bindje se PDK-ja është e vetmja parti e cila do të angazhohet pa kompromis në përmbylljen e shtetësisë së Kosovës.
Shkrimi i plotë i Enver Hoxhajt në Facebook:
Kam qenë kundër reciprocitetit gjysmak të Albin Kurtit, të cilin e bëri për efekte elektorale. Sepse, Kosova nuk përfitoi asgjë prej tij, pos diskursit patetik të instaluar për gjoja mbrojtjen e Kosovës nga copëtimi.
Ky lloj reciprociteti ka qenë veçse një mashtrim i radhës i z. Kurti, pas kauzave të rrejshme me të cilat manipuloi opinionin e Kosovës në vazhdimësi.
Reciprociteti gjysmak i tij jo vetëm që nuk i solli gjë Kosovës, por vetëm i acaroi raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrezikoi përkrahjen e SHBA-së për Kosovën dhe e bëri Serbinë të duket viktimë.
Vendimi i sotëm i qeverisë Hoti është i duhuri dhe këtë duhet thënë publikisht. Pavarësisht se çka mendojmë për faktin se edhe z. Hoti ishte pjesë e asaj qeverie që dëmtoi ndërkombëtarisht Kosovën.
Prandaj shpresojmë që dëmi i bërë të mos jetë i pariparueshëm. Pikërisht për shkak të seriozitetit të çështjes, me plot bindje them se PDK është e vetmja parti e cila nuk ka shpikur kauza për luftë partiake që i bëjnë dëm Kosovës dhe është e vetmja parti e cila do të angazhohet pa kompromis në përmbylljen e shtetësisë së Kosovës.