Hoxhaj: Përmes qasjes së butë kemi siguruar njohje

Diplomacia e kosovare përmes fuqisë së butë ka arritur të sigurojë njohje ndërkombëtare, ka thënë kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj. Sipas tij, një qasje e tillë i bënë shtetet e vogla më peshë në botë.

Lajme

19/07/2014 13:14

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se diplomacia publike e Kosovës është më e avancuara na rajon, një mjet ky që është shfrytëzuar për të përmirësuar imazhin e Kosovës nëpër botë.

Hoxhaj gjatë një ligjërate para studentëve të huaj, që po marrin pjesë në Programin Veror të organizuar nga “BEA Institute” në Prishtinë, ka folur për “fuqinë e zgjuar” e cila, sipas shefit të diplomacisë, është njëri prej aspekteve që u mundëson shteteve të vogla të jenë aktorë kyçë në marrëdhëniet ndërkombëtare. 

“Gjatë mandatit tim si ministër i Jashtëm, Kosova e ka aplikuar këtë qasje, dhe përmes fuqisë së butë, ne kemi siguruar njohje ndërkombëtare dhe e kemi anëtarësuar vendin në organizata. Në mungesë të fuqisë së fortë që matet me kapacitetet ekonomike, ushtarake e territore të mëdha, fuqia e butë e shteteve të vogla i bën ato pjesëmarrëse aktive dhe me shumë peshë në botën multilaterale” citohet të ketë thënë Hoxhaj, në komunikatën e MPJ-së.

Ministri Hoxhaj në pyetjet dhe diskutimet me studentët ndërkombëtarë, ka folur për sfidat e brendshme të shoqërisë kosovare, dialogun me Serbinë dhe procesin e njohjeve nga disa vende që nuk e kanë njohur deri më tani si Kina, Argjentina apo Brazili.