Hoxhaj pas vizitave të McCain e Gabriel: Në Kosovë ka ngecje

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka komentuar vizitat e senatorit amerikan, John McCain dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, duke thënë se Kosova, por edhe Ballkani janë në status-qou për momentin dhe ka ngecje.

Lajme

14/04/2017 07:49

“Ka ngecje në Kosovë, ka ngecje në rajon. Ka një status quo edhe në Kosovë edhe në rajon – një gjendje e të qëndruarit në vend. Edhe zoti McCain edhe zoti Gabriel kanë bërë një tur rajonal, gjë që tregon se për të gjithë këto vende të rajonit vëmendja amerikane është edhe ma tutje”,ka thënë Hoxhaj.

Ministri shtoi se “disa prej vendeve të rajonit janë në krizë edhe më të thellë edhe më të madhe politike sesa Kosova, si për shembull Maqedonia, Mali i Zi, por edhe e Shqipëria”. Gjithsesi, sipas Hoxhajt, mesazhet e politikanit të rëndësishëm amerikan për Kosovën ishin të rëndësishme e të duhura.

“Dhe mesazhet e tij në Kosovë; që Kosova duhet të bëjë progres dhe ne nuk duhet të qëndrojmë në vend. Mesazhi i McCain që Kosova ka mbështetje mbipartiake nga amerikanët dhe madje që e mbështesin integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike janë mesazhet më të duhura”, ka thënë Hoxhaj në “Zona B” të “Klan Kosova”.