Hoxhaj: Nga janari, dinamikë tjetër e bisedimeve – marrëveshja mund të përmbyllet në Shtëpinë e Bardhë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se nga janari deri në pranverën e vonshme do të jetë një dinamikë e re në dialogun Kosovë-Serbi, me përfshirjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lajme

19/12/2018 17:26

Ai theksoi se tash e tutje do të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe që nga janari, deri në pranverën e vonë, do të jetë faza dinamike e këtyre bisedimeve – ku në tavolinë do të jenë 10-15 tema të diskutimit.

“Mendoj që askush nuk e di datën e saktë pasi varet nga dinamika. Deri në pranverën e vonë duhet të ketë mbyllje të këtij procesi. Prej janarit do të ketë dinamik tjetër. Çka ka ndodhur deri më tani ka qenë një diplomaci hap pas hapi. Por tash e tutje do të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, potencoi Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj, po ashtu foli edhe për letrën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ku tha se letra flet për një situatë të re në të cilën ndodhet Kosova.

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë një interviste për Telegrafin

Ai potencoi se kjo letër dërguar Kosovës, nga presidenti i SHBA-së është e rrallë.

Siç tha Hoxhaj, në dialog është krijuar situatë e re, shpejtësi e re si dhe dinamikë e re.

“Mendoj që letra flet për një situatë në të cilën ndodhet Kosova, raporti Kosovë – Serbi, por edhe për rajonin. Kjo letër është e rrallë drejtuar nga Trump. Në letër thuhet që presin një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo tregon që dialogu është prioritet jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë, sepse arritja e kësaj marrëveshje mund të jetë gurëthemeli i paqes në rajon. Është shpejtësi e re, dinamikë e re, situatë e re”, tha ai.

Hoxhaj u shpreh se me përmbylljen e disa temave të rëndësishme në dialog me Serbinë, mund të ketë një përmbyllje historike në Shtëpinë e Bardhë.

“Natyrisht, fakti se si është hartuar letra dhe qëndrimi amerikan se duan marrëveshje historike, ku në letër thuhet se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel do të diskutojmë 10 deri 15 tema të mundshme. Do të ketë çështje të natyrës ekonomike, për të pagjeturit, pasojat e luftës, trashëgimia jugosllave etj. Jam i mendimit që nëse ne arrijmë që t’i përmbyllim disa nga temat kyçe mund të ketë një hartim që përmbyllet me moment historik në Shtëpinë e Bardhë. Nuk kisha interpretuar, por fakti që në fund të letrës thotë se do ta ftojë presidentin e vendit Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vuçiqin në një ngjarje, atëherë mbetet të shihet”, theksoi Hoxhaj.