Hoxhaj nga Ferizaj fton Kurtin për debat për Shëndetësinë, i thotë të del të matet me të

Kandidati i Partisë Demorkatike të Kosovës për kryeministër të vendit Enver Hoxhaj, planin për rimëkëmbje të shëndetësisë e ka prezantuar edhe para infermierëve të Komunës së Ferizajt.

Lajme

22/01/2021 18:26

Atyre u ka premtuar se gjatë qeverisjes së tij do të ketë rritje të pagave e trajtim dinjitoz për ta. Nga aty, Hoxhaj ka ftuar edhe një herë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje në debat për shëndetësinë.

Ai tha se Partia Demokratike e Kosovës e ka programin më të mirë për Shëndetësinë dhe se është e vetmja parti politike që e dinë se çka dëshiron të bëjë me sistemin shëndetësor në vend.

“Prandaj edhe po e ftoj z.Kurti të mos i ik debatit, të ulet në tavolinë me mua, të flasim për shëndetësi, të flasim për ekonomi dhe për arsimin. Ai e ka pasur një shprehje që thoshte ‘dil matu’ dhe unë po i them atij tani, dil matu, po i them dil matu edhe në Ferizaj e hajde matemi kush e çon vendin përpara në rrugë të drejtë, sepse për këtë janë partitë politike”, tha ai.

Hoxhaj, para infermierëve të komunës së Ferizajt tha se qeveria e udhëhequr nga ai do të krijojë kushte dinjitoze për ta.

“Një Kosovë e shëndetshme mund të ndodhë dhe mund të jetë funksionale, nëse infermierët, ata të cilët e ofrojnë shërbimin e parë, ata të cilët janë gjithnjë pranë pacientit, nëse ata e kanë mbështetjen e merituar të shtetit dhe të shoqërisë. Në këtë drejtim llogarisni në mbështetjen tonë të plotë jo vetëm morale, jo vetëm politike, por ne do t’i ngrisim pagat për infermierët, për mjekët, për punëtorët shëndetësor, që t’ia kthejmë dinjitetin çdo kujt dhe ju ta mbroni shëndetin tonë”, tha Hoxhaj.

Para tyre, nënkryetari i PDK-së dhe ish-ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ka prezantuar planin që e kanë për shëndendësinë dhe për infermierët në veçanti.

Ai tha se infermierët do të përfitojnë rritje të pagave dhe do të kenë trajtim dinjitoz.

“Kosova duhet t’ju mbështesë jo vetëm me infrastrukturë, jo vetëm me pajisje, po duhet të mbështesë punën e juaj financiarisht ashtu që t’ia krijojmë mundësinë që këtë energji që po e jepni, shteti t’ua shpërblej dhe t’ua krijojë një dinjitet më të mad në shoqëri. Për këtë, ne zotohemi që së bashku të jemi në ballë të kësaj reforme të shëndetësisë. “, tha ai.

Hoxhaj e Ismaili gjatë ditës kanë zhvilluar takime edhe në Spitalin e Ferizajt dhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, para të cilëve kanë prezantuar planin e rimëkëmbjes së shëndetësisë.