Hoxhaj me ambasadorët: Të përkushtuar për zgjedhje demokratike
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në kuadër të obligimeve të tij kushtetuese e ligjore, dhe në vazhdën e konsultimeve e takimeve të rregullta me trupin diplomatik, ka takuar në Prishtinë ambasadorët e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Austrisë dhe zv/ambasadorin e Gjermanisë.

Lajme
Hoxhaj i ka njoftuar përfaqësuesit e këtyre shteteve për zhvillimet politike në vend, agjendën shtetërore të Kosovës dhe integrimet evropiane përkitazi me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, thuhet në komunikatën e MPJ-së.
Sa i përket zhvillimeve të brendshme, shefi i diplomacisë kosovare, Hoxhaj ka përsëritur dedikimin dhe përkushtimin e Qeverisë që Kosova të organizojë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, duke besuar në cilësinë e zgjedhjeve të 8 qershorit.
“Takova përfaqësuesit e disa prej vendeve kryesore në Kosovë, të cilët i njoftova për zhvillimet politike në vend, nevojën që Kosova të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike. Shpreha zotimin e Qeverisë së Kosovës për të bërë gjithçka brenda kornizës kushtetuese e ligjore për organizimin e zgjedhjeve të një standardi evropian e demokratik. Po ashtu, diskutuam edhe për agjendën evropiane të Kosovës dhe ecurinë e zgjedhjeve të së dielës në Bashkimin Evropian”, ka thënë Hoxhaj, pas takimit.
Ministri Hoxhaj do të takohet nesër edhe më një delegacion zyrtar të Luksemburgut, i cili do të takohet edhe me presidenten Atifete Jahjaga.