Hoxhaj kërkon përkrahjen e Maltës

Ministri Enver Hoxhaj thotë se Kosova dhe Malta mund të bashkëpunojnë në shumë fusha. Hoxhaj po qëndron për vizitë në Maltë.

Lajme

12/12/2013 17:09

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maltë, tha se të dy shtetet mund të bashkëpunojnë në shumë fusha.

Ministri Hoxhaj pas takimit me Kryetari i Parlamentit të Maltës, Anglu Farrugia, ka thënë se e ka njoftuar atë me të arriturat e Kosovës.

“Kosova dhe Malta mund të bashkëpunojnë në shumë fusha. Por ato për të cilat diskutuam më hollësisht, dhe që ka mundësi të mëdha bashkëpunimi, janë mbështetja e Parlamentit të Maltës për Parlamentin e Kosovës në agjendën e BE’së që nga MSA deri tek anëtarësimi i plotë i Kosovës”.

“Po ashtu diskutuam edhe për liberalizimin e vizave duke kërkuar përkrahjen e Maltës në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. E treta, dhe jo më pak e rëndësishme është forcimi i diplomacisë parlamentare që do t’i shërbente njëherësh fuqizimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës”.

Nga ana e tij, kryeparlamentari i Maltës, Anglu Farrugia ka falënderuar ministrin Hoxhaj për vizitën. Sipas MPJ’së ai e ka përgëzuar Hoxhajn për progresin që ka shënuar Kosova në vitet e pas shpalljes së pavarësisë, e veçmas organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve të fundit në Kosovë.

“Kam dashur dhe dua që ta shoh Kosovën gjithnjë të zhvilluar ashtu si shtetet e tjera evropiane”, ka thënë Farrugia.

Ministri Hoxhaj pritet të takohet edhe me ministrin e Jashtëm, George Vella. Po ashtu, dy ministrat do të nënshkruajnë një Memorandum bashkëpunimi që i hap rrugë thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Ministri Hoxhaj po vazhdon turneun diplomatik, gjatë të cilit javën që shkoi mori pjesë në Samitin Francë–Afrikë në Paris, pastaj në Sesionin e Ministrave të Jashtëm të OBI-t që u mbajt në Guinea Conakry të Afrikës.