Hoxhaj kërkon nga gjermanët liberalizmin e vizave dhe MSA-në

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Enver Hoxhaj, ditën e tretë të qëndrimit në Gjermani, ka zhvilluar takime të ndara me grupet më të mëdha parlamentare të Bundestagut gjerman, përfshirë CDU/CSU, SPD, të Gjelbrit, etj. 

Lajme

07/11/2014 16:29

Në takimin me kryetarin e Komisionit Parlamentar për BE-në në Bundestagun gjerman, Günther Krichbaum, Hoxhaj ka shtruar nevojën që Kosova ta nënshkruajë MSA-në dhe që kosovarët të lëvizin pa viza.

Edhe në takimin me anëtarin e Komisionit për Politikë të Jashtme, Roderich Kiesewetter, Hoxhaj ka ngritur të njëjtat tema, duke marrë njëherësh mbështetjen e Gjermanisë në këtë drejtim.

“Sot kam takuar shumë deputetë të Bundestagut gjerman dhe me ta kemi biseduar për tre çështje të rëndësishme. Së pari, që të kemi një bashkëpunim shumë më të ngushtë bilateral në mes të Gjermanisë dhe Kosovës. Së dyti, që ta kemi një mbështetje të fuqishme nga Berlini sa i takon procesit të liberalizimit të vizave. Dhe, së fundi, që Republika e Kosovës në një të ardhme shumë të afërt të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Padyshim që Gjermania mbetet ndër partnerët më të rëndësishëm në Evropë për Kosovën”, deklaroi Hoxhaj.

Kryediplomati kosovar gjatë qëndrimit në Gjermani ka marrë pjesë në konferencën e ASPEN-it, e thirrur nga ministrat e jashtëm gjerman e britanik, për të folur për Ballkanin dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe ka bashkëbiseduar me deputetë të ndryshëm, diplomatë e politikanë në një takim të organizuar nga Fondacioni gjerman FES, njofton MPJ e Kosovës.