Hoxhaj i reagon ashpër Vuçiqit: Pasuesit e Millosheviqit rrezik për stabilitetin e rajonit

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuciq, i cili tha se me Kosovën mund të shpërthejë një konflikt i ngrirë si në rajonin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Lajme

12/11/2020 19:09

Enver Hoxhaj, U.D kryetar i PDK-së, përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se i vetmi kërcënim për stabilitetin dhe paqen rajonale mbeten pasuesit e Miloshevicit në qeverinë serbe.

Ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare reagim të shpejtë, pasi sic tha Hoxhaj, rajoni mund të lëvizë përpara vetëm kur Serbia të përballet me gjenocidin që ka kryer në të.

“I vetmi kërcënim për stabilitetin dhe paqen rajonale mbeten pasuesit e Millosheviçit në qeverinë serbe dhe aparatin e sigurisë. Komentet e sotme nga Aleksandar Vucic kërkojnë një reagim të shpejtë nga bashkësia ndërkombëtare. Rajoni mund të lëvizë përpara vetëm kur Serbia të përballet me gjenocidin që ka kryer në të.”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter. /Lajmi.net/