Hoxha: Skënderbeu, personifikim i unitetit dhe besnikërisë ndaj përkatësisë tonë evropiane

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, sot, me rastin e shënimit të Vitit të Skënderbeut, në shesh, ka shkruar në rrjetin social se “Skënderbeu, ishte personifikim i unitetit, besnikërisë ndaj përkatësisë evropiane të kombit shqiptar, shëmbëllim i krenarisë tonë ndër shekuj”.

Lajme

16/10/2018 14:23

Në këtë vit jubilar, në Vitin e Skënderbeut, ka theksuar Ministrja Hoxha, jemi më afër se kurrë, të përkushtuar për integrimet euro-atlantike, vlerat dhe mendësinë të cilës i kemi takuar dhe i takojmë përjetësisht.

Ja postimi i plotë i Ministres Hoxha në rrjetin social:

“Sot, në kryeqendrën e Kosovës, por sivjet edhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët, në mënyra të ndryshme solemne, institucionet shtetërore dhe kulturore, kemi shënuar Vitin e Skënderbeut, me rastin e 550 vjetorit të kalimit të tij në përjetësi.

Nga ajo kohë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ishte personifikim i unitetit, besnikërisë ndaj përkatësisë evropiane të kombit shqiptar, shëmbëllim i krenarisë tonë ndër shekuj. Vlera dhe veçantia e tij, i kishte kaluar kufijtë ballkanik, duke u bërë model për arritjen e lirisë, duke u përkujtuar nëpërmjet qindra veprave historike, letrare dhe artistike, në të gjitha pjesët e globit.

Në këtë vit jubilar, në Vitin e Skënderbeut, jemi më afër se kurrë, të përkushtuar për integrimet euro-atlantike, vlerat dhe mendësinë të cilës i kemi takuar dhe i takojmë përjetësisht”.