Hoxha: Na duhet fuqizim i sundimit të ligjit për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është takuar me Ambasadorin e SHBA-së, Philip Kosnett, me të cilin diskutoi çështjet lidhur me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe reformat me ndikim në procesin e integrimit të Kosovës në BE.

Lajme

15/04/2019 18:44

Hoxha ka thënë se SHBA-ja vazhdimisht ka ofruar ndihmë dhe mbështetje për Kosovën në zhvillimin dhe forcimin e parimeve demokratike, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

Ajo theksoi se Kosova ka qenë njëra nga përfituesit më të mëdhenj të asistencës së SHBA-së, dhe për këtë është falënderuese.

“Kosova ka miratuar ligjet dhe është në proces të hartimit dhe shqyrtimit të komponentëve të tjerë të legjislacionit për të përforcuar sundimin e ligjit në veçanti kuadrin ligjor në fushën penale, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe reformat gjyqësore”, potencoi Hoxha.

Sipas njoftimit, ambasadori Kosnett, vlerësoi angazhimin e Ministres Hoxha për proceset integruese, duke potencuar rëndësinë e fuqizimit të sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke ofruar përkrahje për proceset integruese të Kosovës.

“ShBA-ja vazhdon të përkrah përpjekjet e Kosovës për fuqizuar sundimin e ligjit dhe eliminuar dukuritë negative që minojnë funksionimin e mirëfilltë të institucioneve dhe demokracisë në vend, me pritjen që këto të arritura të shtohen më tej, duke kontribuar në zbatimin e reformave, zbatimin e MSA-së dhe përfarimin me vlerat e vendeve të BE-së, në dobi të qytetarëve, të shtetit dhe rajonit”, theksoi Ambasadori Kosnett.

Në njoftim thuhet se ministrja Hoxha falënderoi Ambasadorin Kosnett për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së në proceset kyçe për Kosovën, dhe konsolidimin e shtetësisë tonë.