Hovenier: Besoj se një marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë arrihet brenda mandatit të Kurtit dhe Vuçiq

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka ripërsëritur qëndrimin e Amerikës se në Bruksel duhet të arrihet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila ka për qëllim njohjen reciproke.

Lajme

19/05/2022 08:34

Ambasadori Hovenier deklaroi se vendi i tij e mbështet fuqishëm këtë proces dhe do të punojë me partnerët e tij për ta përmirësuar atë.

Edhe pse thotë se gjithçka varet nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, Hovenier beson se një marrëveshje e tillë mund të arrihet gjatë mandatit aktual të kryeministrit të Kosovës si dhe presidentit të Serbisë.

“Ka çështje të vështira që kanë kosto politike. Të dyja palët do të duhet të angazhohen në mënyrë aktive dhe kreative dhe me një urgjencë të caktuar për ta arritur këtë”, tha ambasadori amerikan për mediumin serb, Kossev.

Hovenier ka folur edhe lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës, duke theksuar se shumëçka ka ndryshuar që nga vizita e fundit në Mitrovicë në vitin 2007, kur ka punuar në ekipin e Martti Ahtisaarit.

Ambasadori Hovenier komentoi edhe sulmet e fundit të cilat ishin në drejtim të policëve të Kosovës në veri të vendit, ku tha se Policia e Kosovës e ka siguruar atë se po e trajton këtë çështje shumë seriozisht.

Hovenier gjatë kësaj jave vizitoi për herë të parë Mitrovicën e Veriut që nga emërimi si ambasador i SHBA-së në Kosovë./Lajmi.net/