Hoti për të kthyerit nga Siria: E kemi obligim t’i ofrojmë një ardhmëri më të mirë

Avdullah Hoti, kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë gjithçka për të kthyerit nga Siria.

Lajme

20/04/2019 18:18

“Institucionet tona, dhe e gjithë shoqëria, duhet të bëjnë çdo gjë të nevojshme për integrimin e personave të kthyer nga lufta në Siri, shumica e të cilëve gra e fëmijë”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.

“Si institucione nuk kemi përvojë në këtë drejtim dhe kjo do të jetë sfidë e vështirë. Na duhet përkushtim dhe angazhim i institucioneve, komunitetit dhe familjarëve, në mënyrë që integrimi i këtyre personave të jetë më i lehtë”.

“Vendimin për të pranuar kthimin e tyre në Kosovë duhet parë si nevojë dhe obligim për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në tejkalimin e situatave të krijuara nga terrorizmi dhe radikalizmit”.

“Për të kthyerit, fëmijët dhe gratë në veçanti, e kemi obligim si shoqëri që të ofrojmë një ardhmëri më të mirë, paqe e prosperitet dhe vlera të dëshmuar evro-perëndimore që i aspirojmë të gjithë”.