Hoti: Nuk do të nënshkruhet asnjë marrëveshje me Serbinë nëse nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka bërë të qartë që asnjë marrëveshje me Serbinë nuk do të nënshkruhet në rast se nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Lajme
Kreu i ekzekutivit kosovar, Avdullah Hoti, ka prezantuar para Akademisë së Shkencave të Kosovës, platformën e qeverisë mbi dialogun me Serbinë.
Pas kësaj, kryeministri Hoti, ka bërë të qartë se nuk do të nënshkruhet asnjë marrëveshje me Serbinë e cila nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, raporton lajmi.net.
Sipas Hotit mbi këtë bazë do të jetë edhe marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Unë besoj që në fillim duhet të tregojmë seriozitetin shtetëror ku i respektojmë marrëveshjet që i kemi nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Në Qeverinë Mustafa kemi bërë një punë të jashtëzakonshme me një synim të vetëm, të mbrojmë integritetin dhe kushtetutën e Kosovës dhe sovranitetin e vendit. Për t’u siguruar që statuti i Asociacionit do të përgatitet dhe miratohet vetëm në bazë të opinionit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Por unë këtë e kam edhe tek parimet e dialogut. Përveç çështjes së integritetit territorial të Kosovës që nuk ndryshohen, nuk negociohet as karakteri unitar i shtetit të Kosovës. Kompromiset që i kemi bërë ne kanë përfunduar më 17 shkurt 2008. Tash brenda disa parimeve që duhet të vendosen, brenda hapësirës që na lejon Kushtetuta e Kosovës ne duhet të arrijmë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë si dy shtete të barabarta”, deklaroi Hoti, raporton më tutje lajmi.net.
Ai e bëri të qartë se integriteti territorial i Kosovës, karakteri unitar dhe Kushtetuta e Kosovës nuk do të shkelen në asnjë marrëveshje me Serbinë dhe ky është parim.
“Integriteti territorial, karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe nevojën e një domosdoshmërie që marrëveshja të jetë vetëm në përputhje me frymën e Kushtetutës. Përtej kësaj unë besoj se kemi mjaft hapësirë si shtet sovran në përputhje me Kushtetutën që të arrijmë një marrëveshje që është në përputhje me interesat e Kosovës për integrimin euroatlantik”, theksoi Hoti.
Tutje, kreu i ekzekutivit theksoi se, në bazë të platformës së Qeverisë nuk lejohet që përveç frymës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me Serbinë nuk mund të nënshkruhet asnjë marrëveshje.
“Adaptimi i qasjes së dialogut në platformë që u prezantua na ndalon që të arrijmë deri në atë pikë (nënshkrimin e marrëveshjes pa përputhje me kushtetutshmërinë), që të arrihet një marrëveshje e cila nuk mund të ratifikohet nesër në Kuvendin e Kosovës. Unë besoj që Forumi i Liderëve politikë do të na mundësojë këtë gjë. Do të na mundësojë që së paku ne të sigurojmë dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës sepse parimi i kësaj marrëveshjeje është që të jetë e zbatueshme në Republikën e Kosovës, të kemi mundësi ta ratifikojmë në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj të mund të zbatohet”, deklaroi Hoti. /Lajmi.net/