Hoti: Mustafa kryeministër i Qeverisë së shpresës

Me heqjen dorë nga posti i Kryetarit të Kuvendit të Kosovë nga partitë e Bllokut LVAN, Kosova ka tejkaluar ngërçin politik.

Lajme

12/11/2014 17:18

Kështu ka thënë anëtari i Kryesisë së LDK-së Avdullah Hoti, i cili ka thënë se Blloku tashmë do të votojë kandidatin e PDK-së dhe në këtë mënyrë hapet rruga për krijimin e institucioneve.

“Ne presim që kryesuesja Brovina shumë shpejt të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive. Pasi koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje do të votojnë kandidatin e PDK-së për Kryetar të Kuvendit, mendoj se është tejkaluar ngërçi politik dhe nuk ka më arsye të shtyhet seanca e Kuvendit. Me këtë veprim, koalicioni i ka hapur rrugë formimit të institucioneve të vendit në përputhje me kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sado që vendimi i Gjykatës lidhur me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk është në frymën e demokracisë parlamentare”, ka thënë Hoti në një intervistë për Express.

Pasi që partitë e Bllokut kanë hequr dorë nga Kryeparlamentari, post të cilin ia kishin deleguar Isa Mustafës, Hoti mendon se tashmë është e natyrshme që LDK ta ketë këtë post.

Ai thotë se me Isa Mustafën në krye të Qeverisë, do të mundësojë stabilitet te partnerët e Bllokut, pasi që sipas tij, atë e mban bashkë qëllimi i përbashkët, e që është ndërrimi i qeverisjes në Kosovë.

“Koalicioni e ka shumicën parlamentare për të formuar qeverinë. Pas heqjes dorë nga pozita e Kryetarit të Kuvendit, është e natyrshme që partisë më të madhe në koalicion, që është LDK-ja, t’i takojë posti i Kryeministrit. Sigurisht, Kryetari Isa Mustafa do të jetë kandidati për kryeministër pasi ai është kryetar i LDK-së, ka barrën e implementimit të programit qeverisë të koalicionit dhe ka përgjegjësinë para elektoratit të LDK-së”.

“Nuk ka asnjë rrezik të prishet koalicioni, ose blloku siç e quani ju. Koalicionin e mban fort së bashku qëllimi i përbashkët, që është ndërrimi i qeverisjes në Kosovë dhe ofrimi i një qeverie të shpresës, zhvillimit dhe punësimit për qytetarë dhe integrimi evropian i Kosovës. Të gjithë partnerët e koalicionit janë pajtuar që të votohet kandidati i PDK-së për Kryetar të Kuvendit. Rrjedhimisht, është e natyrshme që LDK-së, si partia më e madhe në koalicion, të udhëheqë me qeverinë pasi e ka barrën më të madhe brenda koalicionit me 30 deputetë sa ka”, ka thënë Hoti për Express.