Hoti: Masakra në Reçak tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë

12:28 | 15 Janar 2022

Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për persona të zhdukur Andin Hoti deklaroi sot se masakra e kryer nga forcat serbe në Reçak më parë tregon më së miri fytyrën e vërtetë të shtetit të Serbisë.

Pas homazheve në 23-vjetorin e masakrës në Reçaku, Hoti ka thënë se Serbia edhe sot e kësaj dite nuk po tregohet e gatshme për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga kjo masakër.

“Ne jemi këtu për të kujtuar masakrën në Reçak, masakër që është e ndërkombëtarizuar për krimet serbe në Kosovë dhe kjo tregon më së miri fytyrën e aparatit serb, fytyrën e kriminalizuar të tyre dhe fatkeqësisht ne sot ende kemi një person të zhdukur nga kjo masakër dhe 23 vjet më pas Serbia nuk është e gatshme as në këtë masakër që është kaq e ndërkombëtarizuar, të tregojë humanizmin e saj për të zbardhur fatin e personave të zhdukur që është edhe këtu një person”, tha ai.

23 vjet më parë, më 15 janar të vitit 1999, banorët e Reçakut të Shtimes u zgjuan herët në mëngjes nga krismat e armëve që ishin bërë të zakonshme në atë periudhë të luftës.

Atë ditë në këtë fshat, që ndodhet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Kjo ngjarje, ishte cilësuar si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Presidenti i SHBA-së Bill Clinton përmes një video-mesazhi dënoi vrasjen e civilëve shqiptarë duke thënë se kjo ngjarje ishte një veprim vrasjeje e qëllimshëm dhe pa dallim, i krijuar për të mbjellë frikë në mesin e popullit të Kosovës.