Hoti: Jemi unik, PAN-i po mundohet të kontrabandojë deputetë

16:30 | 10 Korrik 2017

Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk ka vendosur nëse do ta votojë kandidatin e PAN-it për kryeparlamentar, që në këtë rast është Kadri Veseli.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se janë të bashkuar kundër koalicionin PAN dhe se asnjë deputet nga ta nuk do ta votojë Haradinajn për Kryeministër, raporton Ekonomia Online.

“Koalicioni jonë është unik ashtu si ka qenë. Qëndrojmë mbrapa marrëveshjes që kemi mbërritur me AKR, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi. Kemi filluar diskutimet e brendshme për pjesëmarrjen tonë në seancën konstituive të kuvendit. Tani po presim që presidenti të ftojë seancën e parë konstituive të kuvendit dhe të fillojë procesi i konstituimit të institucioneve të reja të dala nga këto zgjedhje”, ka thënë ai.

Sa i përket pyetjes se a do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar Kuvendi, ai tha se nuk kanë qëndrim për këtë çështje.

“Nuk kemi qëndrim për këtë ende nuk e kemi diskutuar, sapo të ftohet seanca parë. Ne do të diskutojmë edhe në strukturat tona të partisë dhe të partive të koalicionit dhe do të udhëzohet grupi jonë parlamentar se si të sillet në kuvendin Kosovës”, ka pohuar ai.

Ai tha se do të presim që PAN-i ta konsumojë të drejtën e formimit të qeverisë dhe vetëm pas kësaj do të diskutojnë për koalicione.