Hoti flet nga qeveria: Do t’i forcojmë miqësitë me partnerët, do t’i kthehemi punës së përditshme

Qeveria e re e Kosovë me në krye Avdullah Hotin sot ka mbajtur mbledhjen e parë të saj.

Lajme

04/06/2020 09:53

Në këtë mbledhje ceremoniale, ka folur kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, shkruan lajmi.net.

Në fjalët e tij të para,  Hoti ka falënderuar stafin shëndetësor, policinë dhe bizneset private për angazhimin e tyre gjatë pandemisë.

“Dëshiroj të filloj këtë mbledhje me falënderimin për stafin shëndetësor. Dëshiroj të përmend edhe stafin e policisë që kanë qenë në krye të detyrës. Bizneset private për shërbimet ndaj qytetarëve. Ndërmarrjet publike. Por dëshiroj të shpreh ngushëllime edhe për familjet e viktimave që kanë humbur të afërmit e tyre nga kjo pandemi”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se qeveria e re e ka për obligim t’i jap frymë demokracisë së brendshme dhe do t’i nënshtrohet vetëm Kushtetutës së vendit.

“Qeveria e re ka për obligim t’i jap frymë demokracisë së brendshme dhe t’i nënshtrohet vetëm Kushtetutës së vendit. Do të vendosim një diskurs të ri. Në kemi një program ambicioz që e kemi dakorduar javët e fundit. Duhet të adresojmë menjëherë sfidat.  Duhet të ndërtojmë një diskurs tjetër edhe brenda qeverisë, edhe në komunikim me opozitën dhe shoqërinë civile duke ofruar transparencë të plotë”, ka thënë Hoti.

Kryeministri i ri i vendit ka premtuar po ashtu se qeveria e tij do t’i kthehet punës së përditshme dhe do t’i lë anash retorikat.

“Do t’i kthehemi punës së përditshme dhe jo retorikës. Do të jemi të hapur të marrim kritika, do të ndërtojmë kohezionin shoqëror që i ka munguar shtetit të Kosovës. Prioritetet tona janë edhe forcimi i shtetit ligjor, fuqizimi i miqësive me partnerët ndërkombëtar, marrja e përgjegjësive për dialogun, arsimi dhe kushtet që janë krijuar për kushtet e pandemisë, pastaj shëndetësia për të krijuar kapacitete. Kjo qeveri do të ketë një program ku merren parasysh grupet e caktuara në Kosovë që janë më pak të favorizuara”, ka thënë Hoti. /Lajmi.net/