Hoti flet me akterët e sigurisë në Kosovë pas hyrjes së xhandarmërisë serbe në Karaçevë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mbajtur një takim me akterët e sigurisë në Kosovë.

Lajme

11/08/2020 11:03

Ky takim virtual vjen pas bujës së madhe të shkaktuar pas hyrjes së xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës, shkruan lajmi.net.

Për mbajtjen e një takimi të tillë është njoftuar nga vet zyra e kryeministrit.

“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka mbajtur sot një takim virtual me drejtuesit e institucioneve të sigurisë së vendit, me të cilët ka biseduar për gjendjen e përgjithshme në vend dhe për bashkërendimin e veprimeve institucionale në fushë të sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Pjesëmarrës të këtij takimi ishin ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kreshnik Gashi, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

“Në këtë bashkëbisedim, kryeministri Hoti i falënderoi përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë në vend për përkushtimin dhe angazhimin e shtuar të tyre për përballimin e gjendjes së krijuar si pasojë e pandemisë COVID 19. Po ashtu, ai kërkoi që ky përkushtim dhe ky mobilizim i këtyre institucioneve të vazhdojë edhe më tutje, ndërkohë që kërkoi edhe koordinimin me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, e në veçanti me KFOR-in, si një partner strategjik i Kosovës në fushë të mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në fund të komunikatës. /Lajmi.net/