Të Infektuar: 14119

Të Shëruar: 10546

Të Vdekur: 563

Hoti: Brenda javës licencohen institucionet private për të bërë testet virologjike për COVID-19

15:00 | 5 Korrik 2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se do të fillohen brenda ditës që të shtohen kapacitetet e testimit deri në 500 teste, ndërkaq tha se brenda javës do të licencohen për të kryer testime edhe laboratorët private.

Ai bëri të ditur se këtë javë do të licencohet institucione private për të kryer teste virologjike.

“Do të merremi me krijimin e kapaciteteve për testim virologjik, do të krijohen kapacitetet brenda ditës që të shfrytëzohen kapacitetet ekzistuese deri në 500 teste brenda ditës. Do të punojmë që të krijojmë kapacitete ekzistuese nëpër regjione. Brenda javës do të licencojmë institucione private shëndetësore për të kryer teste virologjike”, tha Hoti gjatë konferencës për medie.

Po ashtu, Hoti bëri të ditur se do të fillojnë me procedura urgjente për blerjen e 100 mijë testeve virologjike.

“Do të fillojnë procedurat urgjente për të blerë edhe 100 mijë teste shtesë virologjike, por do të bëjmë një formë të prioritetit se kush testohet, duke fillua nga të sëmurët kronik dhe ata që kanë shenja e kështu me radhë“, tha Hoti.

Ai tha se do të blihen edhe shtatë aparatura shtesë që të bëjnë testime virologjike.