Hoti bën thirrje që projektligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti të votohet në Kuvend

Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar në lidhje me miratimin e projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, në Komisionin për Buxhet. Hoti, ka deklaruar se, kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë të shqyrtojë këtë projektligj në seancë plenare, shkruan lajmi.net. Deputeti i LDK-së ka deklaruar edhe se,…

Lajme

07/12/2022 15:15

Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar në lidhje me miratimin e projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, në Komisionin për Buxhet.

Hoti, ka deklaruar se, kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë të shqyrtojë këtë projektligj në seancë plenare, shkruan lajmi.net.

Deputeti i LDK-së ka deklaruar edhe se, kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike nga inflacioni, por është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion.

“Sot, Komisioni për Buxhet e miratoi projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, i cili është iniciativë e mbi 21 mijë qytetarëve. Kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë ta shqyrtojë këtë projektligj në seancë plenare”, ka thënë ndër tjerash Hoti.

Postimi i plotë:

Sot, Komisioni për Buxhet e miratoi projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, i cili është iniciativë e mbi 21 mijë qytetarëve. Kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë ta shqyrtojë këtë projektligj në seancë plenare.

Sigurisht se kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike nga inflacioni, por është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve për të përballuar më lehtë krizën pasi kanë munguar masat substanciale nga Qeveria. Masat e ndërmarra kanë qenë të kufizuara kryesisht në skemat sociale dhe pensionale.

Siç kemi propozuar vazhdimisht, Qeveria ka pasur dy mundësi në dispozicion për tu dalë në ndihmë qytetarëve përmes:

(1) rritjes së pagave së paku sa është norma e inflacionit dhe rritjes së pagës minimale në sektorin privat ose

(2) uljes së TVSH-së nga 18% në 8% dhe heqjes së përkohshme të akcizës.

Të dyja këto masa kanë qenë plotësisht të realizueshme, sepse të hyrat buxhetore janë rritur me mbi 20% për shkak të rritjes së çmimeve.

Në vend që mjetet buxhetore të shpenzohen duke i rritur pagat dhe duke i realizuar projektet kapitale, sot në buxhetin e shtetit janë grumbulluar rreth 700 milionë euro që po i zhvlerëson inflacioni.

Këta qeveritarë as nuk i shpenzojnë vetë mjetet e buxhetit në rritje të pagave e në projekte kaptiale, e as nuk i ulin tatimet dhe akcizat për t’ua lënë në dispozicion qytetarëve ato mjete.

Përderisa nuk i përfillen propozimet tona si opozitë për ndihmë ndaj qytetarëve, në seancë plenare projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit Pensional duhet të votohet. /Lajmi.net/