Hoti: AAK dhe Nisma t’i shqyrtojnë qëndrimet e tyre brenda PAN

Shefi i grupit parlamentar të koalicionit LAA, Avdullah Hoti, u ka bërë thirrje partive AAK dhe NISMA që t’i shqyrtojnë qëndrimet e tyre brenda koalicionit PAN, njofton Klan Kosova.

Lajme

24/08/2017 19:27

“Besoj që AAK dhe NISMA duhet ta shqyrtojnë qëndrimin brenda koalicionit që kanë ndërtuar me PDK-në”, tha Hoti në Info Magazine të Klan Kosovës.

Ai foli edhe për seancën e gjashtë të pasuksesshme të së enjtes duke thënë se shumica e deputetëve kanë mbetur të zhgënjyer.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të zhgënjyer duke përjashtuar deputetët e PAN”, tha Hoti, duke shtuar se edhe brenda tyre mund të ketë deputetë të zhgënjyer me procesin.

Ndërsa, takimin e Behgjet Pacollit dhe Ramush Haradinajt e arsyetoi duke thënë se ata nuk janë armiq, porse kanë diferenca politike sa i përket themelimit të institucioneve, ndërsa u shpreh i bindur se koalicioni LAA vazhdon të qëndrojë deri në fund.

“Janë gjashtë seanca që mbahen, është shtjerrë debati për këtë çështje se a do të qëndrojë koalicioni deri në fund”, tha Hoti duke iu referuar koalicionit LAA.

“Tash më nuk ka kuptim të ftohen seancat”.

“Shumica shqiptare është kah ne”.

Ai tha se pavarësisht se anëtarët e Listës Serbe janë qytetarë të barabartë të Kosovës, sipas tij, dihet ndikimi që ka Beogradi tek ata, dhe kjo mund t’i sillte probleme Kosovës në çuarjen përpara të proceseve në të mirë të qytetarëve shumicë të Kosovës.

“Një qeveri që varet nga votat e tyre nuk besoj se është jetë të gjatë, dhe nuk besoj që mund të çojë përpara vendime, që janë në të mirë të qytetarëve shumicë të Kosovës”.

Për më tepër, Hoti refuzoi të jetë tërhequr nga mundësia për të qenë kryeministër duke u bërë shef i grupit parlamentar të koalicionit LAA.

Ndërkaq, po ashtu u shpreh i gatshëm që koalicioni nëtë cilin bën pjesë, ta themelojë qeverinë duke theksuar se vetëm LDK mund ta themelojë një qeveri kredibile.

“Ne respektojmë të drejtën e PAN për të themeluar institucionet, jemi partia e tretë”.

“Nëse institucionet nuk themelohen herën e parë, jemi të gatshëm ta formojmë një qeveri kredibile”, tha Hoti duke e përsëritur se qeverinë do ta formonin pa PDK-në.