Hoqi nga intervista pjesën ku Kurti foli për ambasadorin amerikan, flet gazetari gjerman

Gazetari Michael Martens ka dalë me një reagim pasi që u raportua se ka larguar disa pjesë nga intervista me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Para se të publikonte intervistën e plotë me Kurtin, Martens kishte bërë publike disa citate të kryeministrit kosovar, përfshirë këtu edhe deklaratën kur Kurti kishte thënë se ambasadori i SHBA-së…

Lajme

29/11/2022 18:59

Gazetari Michael Martens ka dalë me një reagim pasi që u raportua se ka larguar disa pjesë nga intervista me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Para se të publikonte intervistën e plotë me Kurtin, Martens kishte bërë publike disa citate të kryeministrit kosovar, përfshirë këtu edhe deklaratën kur Kurti kishte thënë se ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier dinte më shumë për situatën në veri të Kosovës sesa vetë ai.

Por, kur Martens ka publikuar intervistën e plotë me kryeministrin Kurti, disa nga pjesët që kishte përmendur më herët mungonin në intervistën e plotë, ku ndër to edhe pjesa që Kurti ka folur për ambasadorin amerikan në Kosovë.

“Disa njerëz duket që e konsiderojnë skandal (apo duan ta kthejnë në një të tillë) që ambasadori amerikan në disa momente të caktuara mund ndoshta të di më shumë rreth situatës së sigurisë për një rajon të caktuar ( në këtë rast për veriun e Kosovës) sesa një kryeministër. Por a është ky një skandal”, ka shkruar Martens, në Twitter gjersa ka theksuar se “SHBA ka kapacitetet më të mëdha të inteligjencës në botë. Shikoni ambasadat e mëdha amerikane në Prishtinë, Shkup, Sarajevë (ose në Kampin Bondsteel). Natyrisht, atje nuk punojnë vetëm diplomatët. Pra, sigurisht që ambasadorët e SHBA-së ndonjëherë kanë informacione që të tjerët nuk e kanë, përfshirë qeveritë”.

Krahas kësaj, ai ka thënë se nuk është interesante për audiencën gjermane që ambasadori amerikan di diçka që vetë vendi ku shërben si ambasador nuk e di.

Megjithatë Martens thotë se Kurti e ka bërë një deklaratë të tillë dhe thotë se e ka edhe të regjistruar.

“Z. Kurti e bëri këtë deklaratë gjatë bisedës sonë të regjistruar dhe më vonë e autorizoi në transkriptin me shkrim të asaj bisede, të cilën ia dhashë ekipit të tij para publikimit pasi disa nga temat për të cilat folëm (jo pjesa për ambasadorin) ishin potencialisht të ndjeshme”, ka thënë Martens.

Sipas Martens, s’ka nevojë për teori konspirative.

“Meqenëse intervista ishte shumë e gjatë (mbani parasysh se Kosova nuk është një çështje e madhe në Gjermani), unë hoqa disa pjesë nga versioni i autorizuar që ishin më pak me interes për lexuesit tanë. Mes tyre ishte edhe pjesa për ambasadorin amerikan. Kjo eshte e gjitha. Nuk ka nevojë për teori konspirative”, ka përfunduar Martens. /Lajmi.net/