Hooper thotë se Kosova mund të bëhet ‘viktimë’ e terroristëve

“SHBA-ja shpresoj të jetë duke bashkëpunuar me udhëheqjen politike në Kosovë për ta parandaluar përkeqësimin e gjendjes aktuale”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, James Hooper, ish diplomat amerikan, aktualisht drejtor menaxhuesi i Grupit Publik për Politika dhe të Drejtën Ndërkombëtare.

Lajme

22/04/2015 12:32

Hooper, duke folur për fenomenin e ekstremizmit fetar, ndonëse nuk pretendon se është ndër ekspertët më të mirë në botë për të, ka thënë se ka bërë studime dhe nga kjo mund të thuhet se Shteti Islamik ka agjendë politike.

“Ky grup është shumë i mençur, shumë i vetëdijshëm në qasjen që ka karshi kësaj agjende. Është një makineri e pamëshirshme, tërësisht e pamëshirshme, vrasjeje, e cila përdor ekzekutimin me heqje koke dhe vrasjet në përgjithësi, për të forcuar joshjen nga grupet tjera. Militantët e këtij grupi nuk flasin për kufij, ata flasin për heqje kufijsh dhe vendosje të ‘kalifatit’. Kësisoj kanë arritur të joshin sidomos të rinjtë, nga e gjithë bota, qofshin ata nga vendet demokratike apo jo, të varfër apo të pasur. Të marrim shembull qytetarët e Kosovës: në luftën e Sirisë nuk po lufton Serbia, nuk është ky një konflikt i ri me Serbinë, nuk është as konflikt i ri për Bosnjën, nuk ka kurrfarë lidhjeje me kufijtë e vendeve në Ballkan, është tërësisht një luftë e tjetërkujt, por gjithsesi ka arritur të tërheqë një numër të caktuar personash nga Kosova”, tha Hooper.

Ky ish diplomat amerikan ka shprehur shqetësimin lidhur me ballafaqimin që disa shtete të rajonit të Ballkanit, si Kosova dhe Bosnja në veçanti po e kanë me këtë fenomen.

“Janë mbi 200 qytetarë të Kosovës që besohet se luftojnë përkrah Shtetit Islamik dhe Al-Nusras në Siri dhe Irak. Sa serioze mendoni se është kjo çështje? Ju sapo thatë se Shteti Islamik është një grup me të cilin nuk mund të negociosh…”, tha ndër të tjera Hooper.

Ai tha se kjo është një situatë shumë serioze.

“Lidershipi politik në Kosovë ka qenë aktiv në këtë drejtim, por gjithsesi mendoj se njerëzit në Kosovë duhet ta analizojnë mirë këtë situatë, ta studiojnë atë dhe ta ndjekin me shumë kujdes. Ky nuk është një problem që do të mund të zgjidhet brenda natës. Problemi qëndron në faktin se e gjithë ajo dhunë, mund të ndërrojë kahje dhe të shpërthejë në Kosovë apo në Bosnjë. Këtu qëndron rreziku. Me trajnimin e këtyre personave që i janë bashkuar kësaj lufte, me aftësimin e tyre, ata fillojnë t’i shohin problemet e tyre në Kosovë, Bosnjë, Maqedoni e gjetkë, ashtu siç i kanë parë në Siri dhe Irak dhe fillojnë realizimin e synimeve për ridefinimin e situatës politike në Kosovë, bazuar në pikëpamjet e tyre. Situata është serioze dhe do të mbetet e tillë në afatin e shkurtër kohor, të mesëm e mbase edhe në afatin e gjatë. Shtetet e Bashkuara shpresoj të jenë duke bashkëpunuar me udhëheqjen politike në Kosovë për ta parandaluar përkeqësimin e gjendjes aktuale dhe për ta përmirësuar në fakt atë”, tha ndër të tjera Hooper.