Hooper: Mos-votimi i Gjykatës Speciale, dëmton marrëdhëniet me SHBA-të

Ish-diplomati dhe eksperti amerikan i Ballkanit, James Hooper, ka thënë se mos-votimi i Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, dëmton marrëdhëniet me SHBA-të dhe nënkupton kthim prapa si proces.

Lajme

27/06/2015 18:56

Hooper foli me tone të forta kundër atyre që votuan kundër themelimit të Gjykatës Speciale duke thënë se ata kanë harruar të mirat që SHBA-të i kanë bërë Kosovës dhe votuan kundër vullnetit të SHBA-ve, të cilët mendojnë gjithmonë mirë për Kosovën.

Ndërsa për themelimin e Gjykatës Speciale nga Këshilli i Sigurimit pranë OKB-së, ai tha se kjo në njëfarë forme do të thoshte se SHBA-të dhe Rusia po bashkohen për themelimin e një gjykate që shumë lehtë do të evitohej nëse do të votohej dje në Kuvendin e Kosovës.

James Hooper vuri theks tek rivotimi i kësaj Gjykate në Kuvendin e Kosovës duke thënë se:

“Nuk besoj që është vonë dhe nuk duhet të jetë votimi përfundimtar i Kosovës ky që ishte dje, u bëj thirrje ta kenë një votim të ri në Kuvend. Nëse nuk korrigjohet kjo situatë, do të ketë marrëdhënie jo të mira me SHBA-të. Për hir të SHBA-ve dhe BE-së duhet të marrin një votim të ri dhe ta votojnë ligjin”, tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Kjo gjendje sipas ish-diplomatit e lë Kosovën më larg BE-së dhe futjes në NATO, si synime të politikës së Kosovës.