Holanda premton investime

Ministri i Jashtëm i Holandës Frans Timmermans ka premtuar mbështetje diplomatike dhe ekonomike për Kosovën. Gjatë vizitës së tij në Kosovë, ka paralajmëruar investime holandeze në fushën e bujqësisë, infrastrukturës dhe energjisë.

Lajme

23/10/2013 16:02

Holanda është e gatshme që të sjellë investitorë të këtij shteti në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Jashtëm i Holandës, Frans Timmermans, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Në një konferencë të përbashkët me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, Timmerman tha se proceset e viteve të fundit kanë krijuar optimizëm lidhur me zhvillimet e ardhshme të Kosovës, si dhe për mundësitë e investimeve ekonomike të Holandës në Kosovë.

Minstri Timmermans veçoi mundësitë e investimeve në bujqësi, në infrastrukturë, në menaxhimin e ujit, në energjinë e ripërtërishme, dhe të shkohet drejt investimeve më të mëdha në Kosovë.

Shefi i diplomacisë holandeze ka përmendur edhe marrëdhëniet e këtij shteti me Kosovën gjatë këtyre dekadave të fundit.

“Ne qëndruam pranë jush në vite shumë të dhimbshme dhe të vështira dhe dëshirojmë që të vazhdojmë që të qëndrojmë pranë jush edhe në vitet e ardhshme të cilat presim që të jenë më të lehta më të mira dhe që do të qojnë në situatë më të dobishme për qytetarët”.

Timmermans ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij për të ndihmuar Kosovën në objektivat e saj për integrim europian.

“Unë besoj se kosovarët kanë të drejta të njëjta që të jenë evropianë me të drejta të plota si holandezët dhe popujt e tjerë të Evropës dhe do ta arrijmë atë objektiv. Ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë që ai objektiv të jetë i arritshëm për të gjithë”.

Ndërsa, Ministri i Jashtëm Kosovës, Enver Hoxhaj, ka veçuar përkrahjen e Holandës në kuadër të misioneve ndërkombëtare, për njohjen e Kosovës si dhe për anëtarësimin në organizata të ndryshme rajonale, evropiane dhe botërore.

Ai tha se Kosova si shtet i ri është i përgatitur për fillimin e negociatave sa i takon nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

“Besojmë që procesi do të jetë i shkurtër dhe mbi të gjitha jemi të interesuar që Marrëveshja e Stabilizim Asocimit të jetë një marrëveshje e mirëfilltë për Republikën e Kosovës, me të gjitha elementet e saj”, tha Hoxhaj.

Ai ka folur edhe për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen në veri si një element kyç i jetësimit të kësaj marrëveshjeje.

“Ne si MPJ dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e kuptojmë procesin e normalizimit në një trekëndësh vetëm Prishtinë-Bruksel-Beograd, por ne e kuptojmë normalizimin si një proces i cili ndodhë brenda për brenda tërë Bashkimit Evropian, tërë kontinentit evropian dhe në botë”.

“Serbia nuk mund ta ndjekë një politikë që të ketë normalizim në një relacion Prishtinë-Bruksel-Beograd dhe ne të na bllokojë në procesin e integrimeve qoftë në BE, qoftë edhe anëtarësimin në organizatat rajonale në Ballkan apo edhe në organizatat botërore”.