Holanda në hapësirë, nëse e fiton Botërorin

Përfaqësuesja e Holandës mund të përfundojë në hapësirë, nëse e fiton Botërorin e Brazilit. Kjo është oferta që ia ka bërë një kompani Van Persiet me shokë.

Sport

27/06/2014 20:32

Kompania Space Expedition Corporation (SXC) ka njoftuar se mund ta fërgojë Përfaqësuesen e Holandës në hapësirë, nëse kjo e fundit e fiton Botërorin.

SXC është një kompani që ofron udhëtime në hapësirë për turizëm dhe kërkime, ndërsa është inspiruar për ta bërë këtë ofertë nga goli me ‘fluturim’ që e bëri Robin van Persie ndaj Spanjës, kur shënoi me kokë.

“Si kompani me origjinë holandeze, ne jemi sigurisht krenarë me arritjet e Oranje aktualisht në Brazil”, thotë bashkëpronari Michiel Mol për AD.

“Goli i Robin van Persie, por edhe të gjithë ata që e pasuan duke e imituar ‘fluturimin holandez’, kanë bërë që të na lind ideja të bëjmë diçka ekstra”.

“Tërë ekipin prej 23 lojtarësh, dhe natyrisht edhe selektorin Louis van Gaal, do të mundohemi t’i dërgojmë në një nivel të lartë: 103 kilometra nga toka, në hapësirë”, ka shtuar ai.

SXC pritet t’i bëjë ofertat e para për udhëtime në hapësirë kah fundi i vitit 2015.