Holanda është e zemëruar, e xhindosur me separatistët pro-rusë

Ministri i Jashtëm i Holandës, Frans Timmermans ka thënë të shtunën se Holanda është e “zemëruar, e xhindosur”, kur e ka marrë lajmin se trupat e pajetë të viktimave të aeroplanit të rrëzuar në lindje të Ukrainës, janë zvarritur nëpër zonën ku ka rënë aeroplani i “Malaysian Airlines”.

Bota

20/07/2014 10:57

Në një takim me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, Timmermans ka thënë: “Ne edhe ashtu jemi të shokuar nga lajmi që kemi marrë sot se trupat e pajetë janë zvarritur dhe nuk janë trajtuar si duhet… Njerëzit janë të zemëruar, të xhindosur”.

Ai i ka thënë Poroshenkos se Holanda është e interesuar të dijë se kush është përgjegjës për rrëzimin e aeroplanit civil të enjten.

Shumica e njerëzve që kanë qenë në aeroplanin e rrëzuar, që është nisur nga Holanda, kanë qenë qytetarë të Holandës.  

Raportohet se viktimave u janë vjedhur edhe gjësende me vlerë që kanë pasur me vete.