Historiania serbe: Kosova ekziston, na pëlqen kjo neve apo jo

Historiane serbe, Ljubinka Trgovçeviq ka thënë për Radion Evropa e Lirë, shërbimi i Ballkanit se gjatë viteve të 80-ta ka pasur mundësi të punohet në integrimin e shqiptarëve të Kosovës në një shtet të përbashkët me serbët, por ishte nacionalizmi serb ai që shkatërroi gjithçka.

Lajme

10/11/2014 20:50

Sipas Trgovçeviq, pas ngjarjeve të viteve të 90-ta, nuk kishte më shpëtim të idesë së jetesës në një shtet të përbashkët pasi atëherë shqiptarët e kuptuan përfundimisht se ishin qytetarë të kategorisë së dytë, transmeton Indeksonline.

REL: A ka pasur mundësi që pas viteve të 90-ta, pas gjithë asaj që ndodhi atëkohë, që të normalizohen marrëdhëniet dhe që Kosova të mbetej pjesë e Serbisë?

Trgovçeviq: Nuk mendoj se ka pasur mundësi, sepse ndërkohë shqiptarët vërtetë e kuptuan se ata janë vartës në Jugosllavi. Për këtë, se si e qysh nuk kemi kohë të flasim, mirëpo mendoj se vërtetë ka qenë shumë vonë. Mendoj që fillimi i viteve të 80-ta ka qenë momenti i fundit kur ka pasur ende mundësi që të bëhet diçka që ata të mbesin pjesë e shtetit serb, përkatësisht Jugosllavisë.

REL: Si reagoni ju kur sot e dëgjoni thënien “krahina jonë e jugut”?

Trgovçeviq: Politikanët tanë thonë se ajo (Kosova) është ende pjesë e Serbisë. Ne e dimë që de facto kjo nuk është kështu, mirëpo përderisa një ditë do të vijmë të kjo fazë, e pres momentin kur sërish do të bëhemi fqinjë të mirë, ndërsa ne e shqiptarët do bëhemi miq të mirë.

REL: A besoni që është afër zgjidhja përfundimtare dhe që do të fillojë historia e miqësisë shqiptaro-serbe?

Trgovçeviq: Nuk mendoj se kjo ende do të ndodhë. Mendoj që në nivelin politik, problemet politike do të zgjidhen përmes nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje, apo de fakto do të njihet status quo-ja. Kosova ekziston, na pëlqen kjo neve apo jo.