Historiani bullgar i frikësohet “Shqipërisë së Madhe”

Historiani bullgar, Bozidar Dimitrov thotë se shqiptarët në Ballkan janë duke realizuar ëndrrën për Shqipëri të Madhe. Ai u bën thirrje maqedonasve që të bashkëpunojnë më Bullgarinë, për të zgjidhur kontestet e tyre. 

Lajme

09/08/2014 11:59

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Historisë në Bullgari, Bozidar Dimitrov, komenton protestat e shqiptarëve në Maqedoni. Sipas tij, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, po shkojnë drejt realizimit të ëndrrës së tyre, Shqipërisë së Madhe.

“Për fat të keq, thuajse gjysma e protestuesve insistojnë për një revolucion islamik brenda vetë komunitetit shqiptar”, thotë historiani kontrovers në një intervistë për “Focus”. Ai thotë se ky është një trend i rrezikshëm për të gjithë Evropën Juglindore. Duke folur sërish për idenë e Shqipërisë së Madhe, ai thotë se ndërtimi i autostradave që lidhin Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, i shërben këtij qëllimi. “Gjatë bisedave informale me politikanët shqiptarë, ata vazhdimisht më thonë të njëjtën gjë, të maskuar si shaka, për të parë cili do jetë reagimi bullgar. Ata thonë ‘na lini ta ndajmë Maqedoninë’. U them gjithmonë mqive të mi në Shkup, që janë të shqetësuar me politikën, se sa kohë jeni të zënë në beteja verbale me Bullgarinë dhe bullgarët, shqiptarët do t’ua marrin vendin nën hundë. Për fat të keq, kjo po ndodh pikërisht tani. Nuk jam i lumtur që po dalin parashikimet e mia,” thotë ai, duke shtuar se do të donte që Maqedonia të nënshkruante një traktat të miqësisë së mirë me Bullgarinë dhe të zgjidhte kontestin e emrit me Greqinë. “Në këtë mënyrë ata do bashkohen me BE dhe të gjithë do jetojmë në paqe e lumturi, për shkak se fundamentalistët islamikë nuk mund të tundin flamurin e tyre në tokë evropiane”. (Gazeta Tema)