Historia e trishtë e nëntë personave nga Studenica që përfunduan të masakruar në bunar nga serbët

Derisa fundi i muajit mars i vitit 1999 me intervenimin e NATO-s  ngjalli shpresën për çlirimin e Kosovës nga ushtria serbe, prilli i po atij viti  ishte i rëndë për një pjesë të vendit, shkruan Lajmi.net

Lajme

13/04/2021 20:40

Tash e 22 vjet në fshatin Studenicë e Istogut muaji prill sjell dhimbje e kujtime për nëntë persona që regjimi serb u mori jetën në mënyrën më barbare.

Më 13 prill 1999 në këtë vend u vranë katër vajza, katër gra dhe një burrë. Tetë femra të familjes Lipaj dhe i moshuari Salih Zeqiraj u zunë në këtë shtëpi nga ushtria serbe, për të mos dalë gjallë nga këtu. Nëntë viktimat ishin nxjerr në oborrin e shtëpisë për tu vrarë nga afërsia. Por, sikur kjo të mos mjaftonte. Trupat e tyre u hodhën në bunarin afër, i cili më pas ishte bombarduar për tu shkatërruar e të humbin gjurmët e asaj që kishte ndodhur.

Lehdian 13 vjeçare; Mirdona, 13 vjeçare; Njomëza 14 vjeçare dhe Qëndresa 15 vjeçare janë të miturat e familjes Lipaj që arritën t’i shpëtojnë barbarisë serbe.

Familja Lipaj nga Kamenica ishte strehuar në shtëpinë e Salih Zeqirajt në fshatin Studenicë, për të vazhduar rrugën drejt Rozhajës së Malit të Zi. Por, jo gjithçka shkoi siç ishte planifikuar.

Dy motrat, Qëndresa dhe Mirdona në ditën e 13 prillit, kur ndodhi sulmi nga ushtria serbe,  ishin kthyer në shtëpinë e gjyshit për të marrë bukë e për të vazhduar rrugën drejt bjeshkës.

“Ditën e 13 prillit, në mëngjesin e hershëm janë ardh dy vajzat e mia, nëna, dy vajza të djemve të axhës, gruaja e axhës dhe bashkë me të zotin e shtëpisë prej fshatit Cakutaj për me marrë bukë dhe për me vazhduar rrugën parë ku kanë qenë, me i ik rrezikut. Por, këtu kanë rënë në pritë. Kanë mendu që është UÇK-ja në këtë vend dhe nuk kanë prit fare dhe i kanë ekzekutu krejt ato që i kanë gjet brenda”, ka treguar babai i tyre, Enver Lipaj.

Të freskët e ka komunikimin e fundit me dy vajzat, nëna e tyre, Rrahimja.

“Fëmijët në mëngjes, ditën e 13 prillit, vjehrra jem, baba jem, dy vajzat e mia, dy vajzat e  axhallarëve – të Lipajve. Vajza më ka pyet –‘Nënë gjyshja po don me shkua, a më len edhe mu?”, ajo e dyta. Tjetra vajzë më tha pse këtë po e len e mua jo, tha – Tha po shkojmë me i ndihmu gjyshes edhe kthehemi. Aty jemi nda dhe më kurrë nuk i kam pa”, ka rrëfyer ajo për lajmi.net.

Me dhimbjen e njëjtë tash e 22 vjet jeton edhe Fadil Lipaj, i cili ashtu si çdo ditë tjetër, me 13 prillin e rëndë të vitit 1999 ishte në radhët e UÇK-së. Ai, humbi vajzën Lehdianën, gruan dhe nënën.

“Ne tani jemi heshtja që s’heshte. Unë jetoj më kohën e 13 prillit 1999. Jemi plagë që nuk shërohet. Mirëpo, ne jemi përpjek me vazhdu jetën me një qëllim të caktuar. Për rastin tonë, me mund me shndërrua në një kauzë, që një ditë me pa një dritë në fund të tunellit apo një xixë në fund të tunellit. Kjo që na ka ndodhë prej pushtuesit ka qenë e rëndë, është vështirë të përshkruhet. Është dashtë që ne të arrijmë edhe si familje, si shoqëi si kriminelin ta dënojmë, t’ia themi të vërtetën që e fituam lirinë, por anëtarët e familjes na morët, i vratë i masakruat”,  ka thënë ai.

Në radhët e UÇK-së ishte edhe Enever Lipaj, i cili dy muaj pas krimit arriti t’i gjejë trupat e 9 viktimave. Derisa, pjesa më e madhe e familjes Lipaj, ashtu si edhe banorët tjerë të fshatit kishin arritur të kalonin kufirin e për dy muaj të mos dinë asgjë për fatin e vajzave, nënave, grave të tyre, Enveri kishte vazhduar t’i kërkojë.

Ai, së bashku me shokët vazhdonte të bënte kërkimin derisa nuk kishte shpresa se do të jenë gjallë.

“Më 26 qershor të vitit 1999 kemi ardh në këtë vend për me  pa a është e mundur që këtu do të ketë varrezë masive. Me bashkëpunimin e ushtarëve të UÇK-së, komandantit Ramdan Dreshaj dhe me bashkëfshataret kemi ardh dhe jemi organizua për me verifiku a ka është këtu varrezë masive. Fillimi ka qenë i zorshëm. Ka qenë gjithçka të gjuajtura, me gëlqere, shporet, me hidrofor kanë qenë të grumbulluar në këtë vend që me mund me i humb gjurmët e veta për krimin që e kanë bërë. Por, gradualisht me punë i kemi largu dhe kemi fillua. Në metrën e katërt, kur i kemi nxjerr gurtë janë dalë kufomat të gjitha që i kanë vra. Gradualisht i kemi nxjerr një nga një. Kanë qenë të dëmtuara, por megjithatë i ka ruajt edhe Zoti që mos mu prish kufomat. Rrezet e diellit nuk kanë mund të depërtojnë”, ka shtuar ai.

Pavarësisht se tashmë e dinte se nuk kishte shpresa që dikush të nxirrej i gjallë nga bunari, Enveri gjatë kërkimeve e përcillte vetëm një drojë.

“ Vlen të theksohet se vajzat kur i kam nxjerrë prej bunarit me gjithë ata shokë, më së pari i kam këqyr a janë të veshura sepse thosha që munden me ndodhë edhe ajo sepse nën grykën e pushkës edhe të dhunojnë. Por, i kam parë se si kanë qenë të veshura, aty nuk ka pas mundësi me i dhunu as vajzat e as nënat. Ka qenë shumë kohë e shkurtër për me i bë ato. Ata e kanë pas frikën mos po biem tek UÇK-ja. Por, kur e kanë pa që janë vetëm gra dhe vajza nuk ka pas mundësi me bë edhe atë krim, dhunim të vajzave. Rri pak më shlirë që dhunime seksuale nuk ka pasë. Kufomën e parë që e kam nxjerrë ka qenë plaku, Haxhi Salihu, pastaj nëna ime, Sala, pastaj kanë dalë  kufomat e grave të axhallarëve, pastaj vajzat e mia”, është shprehur ai.

Pasi ishin nxjerr nga bunari, kufomave u ishte bërë ekspertiza nga ekspertë kanadezë dhe të nesërmen, më 27 qershor ishin varrosur.

Por, për gjithë këtë që kishte ndodhur nëna Rrahime nuk kishte marrë një informatë të saktë, derisa ajo qëndronte në Shqipëri. Gjithçka asaj i ishte bërë e ditur pasi kishte përfunduar ceremonia e varrimit.

“Erdh Enveri, burri. U kthye. I kish varros. .. Atëherë ish rasti i vërtetë. Ai moment ka qenë i hidhur. Asnjëherë nuk mundem me menduar. Ka qenë e trishtueshme. Nuk e di as vetë çka ka ndodh, veç kur e kam pa vetën në spital. Nuk e di çka ka ndodh. Ai ka qenë momenti më i vështirë. Pastaj jam mundu gjithmonë me i ikë situatës, më iu ikë njerëzve mos me hy askush në atë temë. Por, jeta ish kështu. Shumë njerëz të tjerë kanë përjetua. Edhe unë si ata të tjetër, si ajo nënë që iu kanë vra tre a katër, edhe unë njëjtë”, ka thënë ajo për lajmi.net.

Ai, i cili kishte barrën më të madhe për të bërë të ditur lajmin për krimin e ndodhur, dhimbjen e kishte edhe më të madhe kur në vendin e krimit kishte gjetur gjëra që kishin të bëjnë me përgatitjen e vajzave të tij për të ardhmen.

“Shtëpia ka qenë e djegur komplet, kati i parë ka qenë i djegur, në dhomën e podrumit ka pas gjithçka dhe ende ekzistojnë ato mbeturina. Vajzat e mia i kanë pasë librat dhe çantat. Ashtu i kam gjetë. I kam mbledh çantat dhe librat”, ka kujtuar ai atë ditë.

Ëndrrat e Qëndresës dhe Mirdones për të ardhmen e tyre, çdo herë janë edhe në kujtesën e nënës Rrahime. Edhe pse të reja në moshë ato e dinin se ku do të jetë fokusi i tyre.

“Vajza e madhe ka qenë në vit të parë në gjimnaz. Gjimnazi ka qenë në fshtin Studenicë sepse atëherë nëpër shtëpi kanë mësua. Kanë qenë të suksesshme. E madhja ka qenë e paprekshme, fëmi i paprekshëm. Ajo ka qenë për mos me jetu. Njerëzit thonë se njeri i mirë nuk jeton shumë. E dyta ka qenë më e lëvizshme, ma komunikative, ma sharmante… E madhja e ka pas ëndërr mjekësinë. E dyta, jo unë s’du më u marr me mjekësi, por du me u marrë me aktivitet. Si ëndrrat e fëmijëve janë. Por, ja kështu është jeta”, ka thënë ajo.

Por, tash 22 vjet kur këto ëndrra e planifikime për jetë u ndërprenë, për këtë ende nuk ka drejtësi. E, gishti për këtë po drejtohet kah institucionet e vendit.

“Shteti jonë për 20 vjet fatkeqësi nuk ka bë asgjë. Nuk na ka leju as me i denoncua, as me i shkrua. Këtu është dashtë që çdo komunë me i paraqit me lista të veçanta të vrarët, e të masakruarit”, është shprehur Rrahime Lipaj.

I zhgënjyer me institucionet e vendit është edhe Fadil Lipaj.

“Unë jam shumë i zhgënjyer dhe nuk po mundem ta kuptoj, ndodshta nuk po e njoh politikën, ku është problemi të udhëheqësit që 20 vjet, çka i pengoi që të kërkojnë diku drejtësi, për të gjithë këto masakra. Unë nuk e kam të qartë dhe jam shumë i prekur. Sa vrasjet na kanë ndodhë prej serbëve, aq jam i prekur që nuk u ndërmor asgjë nuk këta politikanë. Kam bindjen që na harruan dhe nuk morën me neve fare”, ka thënë ai. /Lajmi.net/