Historia e prekshme e vajzës së Di Marias

Angel Di Maria kaloi një periudhë të vështirë në jetën e tij kur para pak më tepër se një viti vajza e tij ishte në rrezik për jetë për shkak se kishte lindur tre muaj para kohës. Ajo mbijetoi dhe sot e mbush me energji yllin argjentinas.

Sport

26/08/2014 19:53

Angel Di Maria u zgjodh futbollisti më i mirë i finales në edicionin e shkuar të Ligës së Kampionëve ku Real Madridi i tij mposhti Atletico Madridin me rezultat 4:1.

Mirëpo, një ballafaqim i madh e shumë më i rëndësishëm për futbollistin ndodhi rreth 14 muaj më parë kur vajza e tij lindi tre muaj para kohe. Ajo kishte vetëm 30 për qind të mundësisë për të mbijetuar.

Dhe, Di Maria nuk luajti në duelin mes Real Madridit dhe Borussia Dortmundit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për shkak se shkoi për t’i qëndruar pranë bashkëshortes së tij. Por, fatmirësisht gjithçka përfundoi mirë, dhe vogëlushja e mbush atë përplot me energji.

“Vajza ime më mësoi se gjithçka që duket e vështirë mund të lehtësohet dhe të përfundojë nëse përpiqesh dhe pret për shpërblimet. Ajo më transmeton shumë energji dhe më ndihmoi të kisha atë vit spektakolar”, ka deklaruar Di Maria.