Hiqni dilemat e dilni në zgjedhje

Shefi i Zyrës së BE'së në Kosovë, Samuel Zbogar, u ka bërë thirrje pjesëtarëve të komuniteti serb në Kosovë që të dalin në zgjedhje. Sipas tij, takimi i fundit Thaçi-Dacic është vendimtar për përfshirjen e serbëve në këto zgjedhje.

10/10/2013 15:06

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka thënë se “serbët janë pjesë e Kosovës dhe këtë do të dëshmojnë edhe zgjedhjet lokale të 3 nëntorit”.

Zbogar për kanalin e dytë të RTK’së ka bërë të ditur se zgjedhjet janë të një rëndësie të veçantë, pasi që për herë të parë ato do të mbahen në tërë territorin e Kosovë dhe në përputhje me ligjet e këtij vendi.

“Për këtë arsye është e rëndësishme pjesëmarrja përfaqësuesve serbë të cilët do t’u shpjegojnë qytetarëve serbë se është e rëndësishme që ata të dalin në zgjedhje”.

“Takimi në mes të dy kryeministrave në Bruksel është ftesë për të gjithë ata serbë të Kosovës të cilët kanë pasur dilema në të kaluarën që të dalin në zgjedhje”.

I pyetur për të ardhmen e komunitetit serb në Kosovës, Zbogar ka thënë se formimi i komunave me shumicë serbe në Kosovë do t’i ndihmojë serbët që të ndihen më autonomë në Kosovë.

“Deri më tani është e sigurt që ky komunitet do të merret me problemet në shëndetësi, arsim, zhvillim ekonomik si dhe me planifikim rural dhe urban”.

“Pres që komuniteti serb, do të jetë garantues për një jetë më të sigurt. Pra, serbët janë pjesë e Kosovës dhe ashtu duhet të jetë”.