Hiqet TVSH-ja për të gjitha ndërtimet e banesave që u shkatërruan nga tërmeti

Banesat që do të ndërtohen për të strehuar familjet e dëmtuara nga tërmeti përjashtohen të gjitha nga tatimi mbi vlerën e shtuar.

Lajme

25/02/2020 16:47

Qeveria ka zyrtarizuar vendimin, i cili heq TVSH-në për të gjitha ndërtimet e banesave, veprave publike, por edhe objekteve të tjera që janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Sipas vendimit, nga TVSH-ja përjashtohen jo vetëm ndërtimet që financohen me fondet e buxhetit të shtetit, por edhe banesat e ndërtuara nga organizatat jo fitimprurëse dhe fondacionet bamirëse. Tatimi hiqet në të gjithë zinxhirin duke filluar që nga importi apo blerja e materialeve.

Por si do të jetë procedura e përjashtimit? Sipas vendimit të qeverisë, kompanitë ndërtuese duhet të pajisen me autorizim nga drejtoria e përgjithshme e tatimeve. Për këtë kompanitë e ndërtimit duhet të bëjnë kërkesë tek tatimet duke paraqitur kontratën me institucionin prokurues ose me organizatën bamirëse si dhe preventivin e punimeve. Brenda pesë ditëve nga paraqitja e kërkesës drejtoria e tatimeve është e detyruar të lëshojë autorizimin ose ti kërkojë kompanisë dokumentacion shtesë nëse aplikimi nuk është i plotë.

Ndërsa për të përfituar heqjen e TVSH-së për importin e materialeve të ndërtimit, kompanitë duhet të pajisen me autorizim nga drejtoria e doganave. Edhe në këtë rast ndiqet e njëjta procedurë.

Sipas të dhënave zyrtare nga qeveria, programi i rindërtimit parashikon ndërtimin e mbi 17 mijë banesave dhe një sërë veprave publike, për një faturë totale e cila llogaritet në gati 1 miliardë euro./tch