Hill: UÇK-ja kërkonte të tregonte se ajo ishte forca që përfaqësonte popullin e Kosovës, dhe jo LDK-ja – na kërkonin të ndërhynim me bombardime
Gjatë dëshmisë së tij, diplomati amerikan Christopher Hill u pyet nga gjykatësi Fergal Gaynor në lidhje me një kabllogram të datës 3 nëntor 1998, të përgatitur nga ish-diplomati Sean Burns. Në atë dokument, Burns kishte përshkruar në detaje strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke përfshirë drejtimin politik dhe shtabin e përgjithshëm të saj.…
Lajme
Gjatë dëshmisë së tij, diplomati amerikan Christopher Hill u pyet nga gjykatësi Fergal Gaynor në lidhje me një kabllogram të datës 3 nëntor 1998, të përgatitur nga ish-diplomati Sean Burns. Në atë dokument, Burns kishte përshkruar në detaje strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke përfshirë drejtimin politik dhe shtabin e përgjithshëm të saj.
Hill deklaroi se nuk ishte dakord me mënyrën se si Burns e kishte paraqitur organizimin e UÇK-së, duke thënë se përshkrimi i tij ishte i tepruar dhe jo plotësisht i saktë. Ai shtoi se me shumë gjasë Burns i kishte mbledhur ato informacione nga burime që vinin vetë nga UÇK-ja, transmeton lajmi.net
“Sipas vlerësimit tim, Sean ishte më i prirë të besonte se ekzistonte një strukturë e qartë komandimi brenda UÇK-së, diçka që ai e përshkruante si një organizatë me hierarki të përcaktuar, madje duke përdorur terma si ‘komisar’, që janë më shumë pjesë e traditës perëndimore. Ai e shihte UÇK-në si një trupë të mirëorganizuar, ndërsa unë nuk e ndaja atë mendim. E respektoj shumë Seanin, por mendoj se ai e kishte ekzagjeruar përshkrimin për të dhënë përshtypjen e një strukture më solide sesa ishte në realitet,” tha Hill.
Diplomati amerikan theksoi se qëllimi i atyre raporteve nuk ishte të pasqyronin plotësisht të vërtetën, por të krijonin ndikim politik dhe diplomatik.
“Ishte më shumë një përpjekje për të na bindur se po kishim të bënim me një ushtri të rregullt dhe të mirëorganizuar. Personalisht, unë nuk e shihja në atë mënyrë. Për të qenë i sinqertë, nuk pajtohesha me këtë vlerësim dhe këtë ia kam shprehur edhe vetë Seanit,” shtoi ai.
Sipas Hillit, në atë periudhë, UÇK-ja nuk paraqitej si një organizatë e strukturuar sipas standardeve të ushtrive perëndimore.
“UÇK-ja kërkonte të tregonte se ajo ishte forca që përfaqësonte popullin e Kosovës, dhe jo LDK-ja. Përveç kësaj, për të fituar mbështetje në luftën kundër Serbisë, ata donin të krijonin idenë se kishin një ushtri funksionale në terren, të aftë për të luftuar. Kështu, ata synonin të tregonin se kishin ushtri, drejtim politik dhe vetëm një element mungonte — forca ajrore. Madje, shpesh na kërkonin të ndërhynim me bombardime. Këto përshkrime, në thelb, ishin hartuar për të ndikuar perceptimin ndërkombëtar, jo për të dhënë një pasqyrë reale të situatës,” përfundoi Hill./lajmi.net/