Hidhërimi serb s’ka fund

Deklaratat e Erdogan kanë shtyrë Tomislav Nikolicin ta ngrijë pjesëmarrjen në një samit trepalësh Serbi- Bosnje e Hercegovinë-Turqi. Der në një kërkim falje që Nikolic pret t’i vijë nga Ankaraja.

Lajme

26/10/2013 10:22

Hidhërimi serb ndaj deklaratës së Kryeministrit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan sa vjen e shtohet dhe kjo po i vë në pikëpyetje edhe raportet mes dy shteteve.

Në një hap të fundit të Beogradit, Presidenti i Serbisë Tomislav Nikolic ka ngrirë pjesëmarrjen në një takim trepalësh ndërmjet Serbisë, Turqisë dhe Bosnjës e Hercegovinës në pritje të një kërkimfaljeje nga ana e Turqisë për shkak të deklaratave të Erdogan të bëra në Prizren se “Kosova është Turqi”, ka thënë Zyra për Shtyp e Presidencës së Serbisë.

“Kur mora funksionin e Presidentit, kam trashëguar edhe marrëdhëniet e mira me Turqinë të vendosura nga paraardhësi im (Boris Tadic). Kam provuar që këto marrëdhënie t’i kthej në miqësi mes dy popujve. Tërë kohën i kam thënë Presidentit të Turqisë se, së paku, nuk është sjellje e mirë që zyrtarët e Turqisë të kërkojnë nga shtetet tjera ta njohin ‘pavarësinë’ e Kosovës, ka thënë Nikolic.

Sipas Presidentit serb, ‘skandali të cilin e bëri’ në Prizren Kryeministri turk është i rëndë dhe dëmton marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve dhe përbën ‘mosrespektim të sovranitetit të Serbisë’.

Nikolic thotë se idetë e Kemal Ataturkut nuk janë më ide të udhëheqësisë turke.

“Pres që Turqia të tregojë mirëkuptim dhe t’i kërkojë falje Serbisë për këtë agresion pa armë”.

“Deri atëherë, si President i Serbisë, unë e ngrij pjesëmarrjen time në takimin trepalësh të Serbisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Turqisë, sepse ky nuk është takim i shteteve luftënxitëse, por i shteteve demokratike, mirëkuptimi i burrështetasve të të cilëve sjell paqe në Ballkan”, thotë Tomislav Nikolic.