Hibridi i rrezikshëm politik

Nuk mund të provohet ecja në drejtimin e duhur, sa i përket përmbajtjes së Marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, derisa në fjalorin publik të shpërthejnë emocionet që sjellin veç rrezik, dëm dhe tensione në Kosovë.

Lajme

15/01/2015 10:28

Thjeshtë, këto punë nuk shkojnë së bashku. Nuk mund të bashkëjetojnë. Ato e përjashtojnë njëra-tjetrën. Sa më parë që kjo të kuptohet, aq më mirë do të jetë. Për të gjithë. Për Kosovën dhe Serbinë si dy shtete, për Qeverinë e Kosovës dhe Qeverinë e Serbisë si dy instancat më të larta qeverisëse, për opinionet publike në Kosovë dhe në Serbi.

Nuk mund të pritet që të gjitha telashet në ndërmarrjen ndërkombëtarisht të përkrahur dhe të qartësuar të normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, të adresohen përmes Kapitullit 35 të Bisedimeve të Serbisë me Brukselin, për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kapitulli 35, në fakt, do të duhej të ishte vetëm një mekanizëm final që do të konfirmonte që punët në këtë proces, të normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, kanë ecur ashtu siç është paraparë, siç është planifikuar, si rezultat i bisedimeve të prira nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së: Më parë Catherine Ashton, tash Federica Mogherini.

Nëse të gjitha ngecjet, të gjitha problemet që si po duket, sa vijnë dhe shtohen, në dialogun Prishtinë – Beograd, do të hedhen si përmbajtje në ‘Shportën’ e Kaptinës 35, atëherë, qysh tash mund të paralajmërohet që ky vit do të jetë shumë i vështirë, apo që do të ishte çudi nëse do të shënohej çfarëdo progresi në bisedimet e Brukselit.

Madje nuk mund të shkojë bashkë, nëse këtu i kthehemi qëndrimeve të shprehura në fillim.

Nuk mund të jesh deputet dhe ministër, në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, e të mendosh dhe të sillesh thuajse nuk je. Nuk është një rol në film apo teatër mandati i deputetit dhe detyra e ministrit në instancat më të larta të Kosovës. 

Nuk mund t’i kontribuosh, si zyrtar i Kosovës, ndërmarrjes së normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, nëse aplikon, në paraqitjet publike, një diskurs politik i cili ka perënduar qëmoti në Kosovë, dhe që nuk bën gjë tjetër veçse e rikthen të kaluarën tragjike në skenën politike të vendit, ndërsa ky vend, kjo shoqëri, nëse njëmend synon të lidhet me të tashmen reale kosovare, dhe me të ardhmen e pretenduar evropiane, nuk ka fare nevojë për një ‘mall’ të kësisoj të kontrabanduar nga arkivat politike të Kosovës dhe Serbisë.

Nuk mund që në realitet, sa i përket formës, por edhe përmbajtjes së Marrëveshjeve midis dy shteteve, të provohet ecja në drejtimin e duhur, ndërsa në atë fjalorin publik që përdoret, të shpërthejnë emocionet dhe formulat që sjellin veç rrezik, dëm dhe tensione në Kosovë.

Është gabim shumë i madh, nëse dikush, kushdo qoftë në fakt, mendon që mund të hibridizohet rrjedha e këtij procesi, në atë mënyrë, që në publik do të mbizotërojë një gjuhë që ndërtohet mbi politikat e dështuara dhe tragjike, ndërsa matanë, aty ku nuk mbërrin dot vëmendja e qytetarëve të thjeshtë, të kryhen punët midis Kosovës dhe Serbisë, duke shkuar para në arritjen e marrëveshjeve të reja midis dy shteteve. Këtu nuk duhet harxhuar as pesë minuta kohë, për të theksuar, sërish që fati i kësaj ndërmarrjeje është zbatimi i përpiktë i të gjitha marrëveshjeve të arritura prej vitit 2011 deri në fund të vitit 2013.

Dihet që viti i shkuar, për shkaqe të njohura, nuk ka sjellë risi të mëdha në këtë dialog.

Duhet të shihet publikisht pra, të hetohet dhe kuptohet publikisht, që ky proces po sjellë ndryshime thelbësore në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Një gjuhë dhe një fjalor që dallon si nata me ditën me atë që është dëgjuar javës së shkuar, duhet të përdoret tash e tutje.

Duhet shtuar këtu që në rrethanat e tanishme, është iluzion të pritet që do të kemi këndejpari Willy Brandt-a që do të gjunjëzohen dhe do të kërkojnë kërkim falje për të gjitha tmerret që janë shkaktuar në Kosovë nga qeveritë e Serbisë në të kaluarën. Por, së paku diskursi politik duhet të ndryshojë, andej, në drejtimin që ka marrë vetë procesi i normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili nuk ka ndryshe si të merr trajtën finale, konkluduese, pos me njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë si shtete të pavarura.

 (Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)