HIB Petrol ndërton pompë benzini pa leje

Kompania HIB Petrol edhe pak e përfundon ndërtimin e objektit të saj të ri në fshatin Shillovë në Komunën e Gjilanit, por akoma nuk ka leje të ndërtimit.

Lajme

11/05/2014 20:28

E këtë gjë, e ka konfirmuar për KTV, pronari i kësaj kompanie, Ibrahim Bucalihu.

“Objekti është në ndërtim e sipër. Puna më e madhe e procedurave administrative janë të kryera, por mbeten edhe disa çështje administrative që të kompletohet i gjithë dokumentacioni që kërkohet nga organet përkatëse”.

Kjo kompani, për ndërtimin e pompës së benzinit është duke pritur përgjigje nga Minisria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, për pëlqimin mjedisor, pa të cilin nuk mund të lëshohet një leje ndërtimi.

Ndërkaq, këshilltari politik nga Ministria e Mjedisit Kreshnik Berisha, ka thënë për KTV se ministria do t’i kthej përgjigje kësaj kompanie gjatë javës së ardhshme.

“Kemi pranuar një dokumentacion nga kompania në fjalë e cila ka kërkuar pëlqim mjedisor për rastin në fjalë. Ndërkohë që sipas të dhënave që kam marrë nga departamenti për mbrojtjen e mjedisit, kompania në fjalë ka plotësuar të gjitha kërkesat, shkresat, të cilat kërkohen për marrjen e pëlqimit mjedisor, ndërkohë që ende nuk iu kemi kthyer përgjigje. Presim që gjatë javës së ardhshme të ju kthejmë një përgjigje”.