Hetoni deri në fund

Dukagjin Popovci thotë se kreu i krimit të organizuar në UP nuk janë personat e arrestuar, ata mund të jenë ndërmjetësues të tyre. Ndërsa me këto arrestime, ai pohon se po pastrohet imazhi i dëmtuar i UP’së.

Lajme

19/12/2013 09:16

Shkarkimi i Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Naim Haliti, nga detyra e tij dhe arrestimi i 11 personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Universitetin e Prishtinës kanë ngjallur reagime të shumta tek studentët dhe opinioni i gjerë.

Eksperti kosovar i çështjeve të arsimit, Dukagjin Popovci në një intervistë për lajmi.net thotë se me arrestimin e këtyre personave nuk është arritur të identifikohet edhe më tutje kreu i këtij krimi të organizuar.

Dukagjin Pupovci, Ekspert i Çështjeve të Arsimit

“Unë besoj që fuqimisht që 11 persona prej të cilëve asnjëri nuk e kalon moshën 30 vjeçare nuk mund të jenë kreu i këtij organizimi kriminal. Nëse këtu ka ndonjë organizim të tillë, këta persona mund të jenë ndërmjetësues, mund të jenë njerëz të cilët kanë qenë korrierë të dikujt”.

Sipas tij, përgjegjësia duhet të gjurmohet më tutje.

“Këto para të pista, nëse ka pasur një gjë të tillë, i kanë shkuar njerëzve me thirrje të larta akademike të cilët kanë vënë nota, të cilët kanë mundësuar regjistrime e kështu me radhë. Sepse është e pabesueshme që notat dhe regjistrimet në fakultet t’i kenë vënë studentët ose asistentët e rinj. Kjo është diçka shumë e qartë dhe këtu përgjegjësia duhet të gjurmohet edhe më tutje”.

I dëmtuar rëndë, imazhi i Universitetit të Prishtinës, me masat të cilat po ndërmerren, tashmë po pastrohet, sipas Popovcit. Është jo normale, thotë ai, që në universitet të shiten nota dhe të shiten vende për regjistrimin e brucoshëve.

“Imazhi i UP’së tashmë është i dëmtuar rëndë, është dëmtuar në atë moment kur ka pasur denoncime shumë serioze, denoncim para më shumë se një viti për të gjitha këto manipulime. Ndërkaq me masat të cilat po ndërmerren unë mendoj se po shkohet në drejtim të pastrimit të imazhit, përndryshe imazhi është shumë i dëmtuar. Nuk është normale që në një universitet të shiten nota, të shiten vende për regjistrim të brucoshëve të rinj e kështu me radhë”.

Për lajmi.net, Pupovci gjithashtu tha se ky është hapi parë i duhur i Universitetit të Prishtinës me të cilën tregohet se Universiteti nuk pajtohet me këto gjëra, ndërsa për më shumë le të bëjnë organet e drejtësisë.

“Ndërmarrja e masave tjera i takon organeve të drejtësisë. Me siguri që nuk mjafton të mbetet puna vetëm me shkarkime e suspendime sepse këtu ka edhe njerëz tjerë përgjegjës”, thotë Dukagjin Pupovci.