Hetimi i pasurisë së Saimir Tahirit, a do të zbatohet ligji anti-mafia?

Njësia antikorrupsion pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda do të nisë hetimin pasuror ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Gjithçka do të bazohet referuar gjetjes së dy patentave në emrin e Tahirit në sekuestrimin e mbi 860 mijë eurove, që iu gjetën në makinë Orest Sotës, pak ditë më parë.

Lajme

07/11/2017 20:10

Por çfarë pritet të nxjerrë ky hetim?

Nëse i referohemi ligjit anti-mafia, barra e provës, për të vërtetuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme, i përket personit, të hetuar. Kjo do të thotë se nëse prokuroria arrin të provojë që ish-ministri i Brendshëm ka qoftë edhe 1 lek më shumë sesa janë deklaruar, atëherë ai duhet të provojë se është fituar në mënyrë të ligjshme.

Referuar ligjit anti-mafia, nuk është prokuroria ajo që do të provojë paligjshmërinë e vënies së pasurisë, por do të jetë individi, i cili duhet të provojë të kundërtën përpara gjykatës me prova dhe fakte konkrete sesi e ka vënë pasurinë, përfshi këtu edhe rastet e korrupsionit.

Nëse në rastin e hetimit pasuror të ish-ministrit të Brendshëm do të veprojë ky ligj, atëherë ai bëhet zyrtari i parë i lartë, që do të ketë barrën e provës për të provuar dyshimet që mund të ngrihen nga organi i akuzës për pasurinë që zotëron ai apo familjarë të tij.

Sikundër raportohet hetimi i prokurorisë do të përfshijë jo vetëm anën monetare, por edhe pronat e paluajtshme dhe çdo objekt tjetër që do të cilësohet me vlerë nga ana e organit të akuzës./syri.net