Hetimet nga PZAP dëshmojnë manipulimet me vota të kandidatëve

Kandidatët për deputetë, thuajse nga të gjitha partitë politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 8 qershorit, janë ankuar për vjedhje të votave brendapërbrenda subjektit politik. Këtë gjë e ka dëshmuar edhe PZAP. 

Lajme

27/06/2014 18:17

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), deri në mbylljen e afatit prej 24 orëve për ankesa nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë, ndaj rezultatit përfundimtarë të shpallura nga KQZ-ja, ka pranuar gjithsejtë 60 ankesa.

Janë kandidatët e subjekteve politike ata të cilët po e kontestojnë rezultatin përfundimtar më shumë, se sa vet subjektet politike.

Se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve mund të jenë bërë manipulime të votave të deputetëve, tregon edhe fakti që PZAP-ja, në një ankesë që ka marrë dje nga një kandidat, ka vërtetuar se në Formularët e Rezultateve Përfundimtare (FRP) ankuesi nuk ka asnjë votë, ndërsa kutia që është hapur nga ekipi i PZAP-së gjatë hetimit ditën e sotme, i njëjti kandidat ka marrë 72 vota në atë vendvotim.

Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, Kryetari i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa Shukri Sylejmani.

“Sa për ilustrim dhe për informim mund të konstatojmë se nga ato pesë ankesat që kemi pranuar dje, menjëherë sot në mëngjes kemi shkuar në QNR, ekipi ynë dhe ka konstatuar se në ato FRP-të që janë Formularët për Rezultatet Përfundimtare, se asnjë votë nuk figuron për atë kandidat, kemi hapur kutinë e votimit dhe kemi gjetur 72 vota për atë kandidatë. Tash diçka nuk është në rregull dhe normalisht ne duhet të nxjerrim një vendim me të cilin do t’ia pranojmë ato vota atij kandidati”, tha Sylejmani. 

Ai tha se për këtë rast, nuk do të thotë që të shkohet në rinumërim të atij vendvotimi, por ata mund të vendosin që në rezultatin përfundimtar ato vota t’i llogariten atij kandidati.

Ndërsa, dje menjëherë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, PZAP-ja pesë ankesa, derisa sot këtij institucioni i janë shkuar 55 ankesa, që gjithsejtë numri i ankesave shkon në 60 sosh. E, me ankesa prin LDK-ja, si subjekt politik, por edhe kandidatët e saj.

“Kisha për të theksuar se me numrin e ankesave prinë, LDK-ja, përkatësisht kandidatët e atij subjekti politik. Ngase ata kanë paraqitur 34 ankesa, nga numri i përgjithshëm, ku kanë paraqitur ankesë 14 kandidatë, që do të thotë se secili prej tyre ka paraqitur me shumë se një ankesë. Pastaj është PDK-ja me dy ankesa, respektivisht dy kandidatë të saj për deputetë. Dy kandidatë të AAK-së, një AKR-ja si subjekt, pastaj Nisma ka paraqitur 13 ankesa, ku vetëm njëra është e subjektit, ndërsa tjerat kanë të bëjnë me kandidatët për deputetë”, tha Sylejmani. 

Ndërsa, një ankesë është e Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës, që ka të bëjë me kundërshtimin për ndarje të ulëseve në Kuvend, pastaj një ankesë është nga PDS-ja, pastaj Lista Serbe një ankesë dhe PDRK-së një ankesë. 

 “E përbashkëta e këtyre ankesave në përgjithësi të paraqitura nga kandidatët është ajo se kontestojnë rezultatin përfundimtar për numrin e votave për ata kandidatë të cilët disa prej tyre kanë fituar ulëset në Kuvend por disa prej tyre nuk kanë fituar. Pretendimi i tyre është se është abuzuar me votën e tyre, është keq numëruar vota e tyre ose u është llogaritur ndonjë kandidati tjetër brenda subjektit politik, dhe shumica e ankesave ka këtë përmbajtje që vërehet se është një garë paksa e theksuar mes kandidatëve brenda subjekteve politike, kjo është edhe e natyrshme”, theksoi Sylejmani. 

Ai tha se të gjitha këto ankesa i përkasin një faze tjetër, që është fazës se administrimit dhe numërimit të votave, e jo ditës së votimit. (Kosovapress)